LDK: Qeverisja në Prishtinë nuk po merret me rregullimin e infrastrukturës

Prishtina

LDK: Qeverisja në Prishtinë nuk po merret me rregullimin e infrastrukturës

Më: 22 maj 2019 Në ora: 12:38
Asamblesitët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës

Asamblesitët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë folur sot për problemet që janë në komunë në lidhje me transportin publik dhe menaxhimin e parkingjeve ekzistuese.

Sipas tyre, është e paqartë se ku janë shpenzuar mjetet financiare të planifikuara për transport publik dhe se qeveria komunale nuk po bën asgjë për rregullimin e infrastrukturës që ka të bëjë me parkingjet.

Shefi i asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi në një konferencë për media, tha se janë të planifikuara  3 milionë euro për shpenzimet e transportit publik, prej të cilave në këtë tre mujor janë shpenzuar 253 mijë e 194 euro.

Sipas tij, kaq dihet publikisht meqë nuk kanë informata të tjera si do të shpërndahen këto mjete.

Gashi: Është e paqartë ku janë shpenzuar mjetet për transportin publik

“Ku janë shpenzuar dhe ku do të shpenzohen mjetet e planifikuara për vitin buxhetor 2019, për shpenzimet e transportit publik, është një pikëpyetje që do sqarim.  Asnjëherë komuna nuk ka dhënë sqarime të qarta, por gjatë hulumtimit ne kemi konstatuar se kryetari i komunës ka nënshkruar një marrëveshje me trafikun urban për kompensim në këtë fushë nga i cili kompensim vetëm në tre mujorin e parë trafiku urban ka përfituar 253 mijë e 194 euro, sipas raportit janar-mars. Këtu nuk bëhet fjalë për subvencionimin e biletës së udhëtarëve në linjat ku ka rentabilitet ekonomik por kemi të bëjmë me pagesën e këstit mujor të kredisë për blerjen e autobusëve për të cilit kryetari disa vite më parë pat deklaruar se pas studimit të fizibilitetit është konstatuar se trafiku urban ka kapacitete përkthimin e kredisë së marrë nga BERZH-i”, tha Gashi.

Ai tha se konstatimi i Shpend Ahmetit ka dalë jo i saktë meqë komuna tani është e detyruar të marrë përsipër kthimin e kredisë, ndërkohë që Trafiku Urban shërben në linjat 1,3 dhe 5, dhe kryetari i Komunës e ka bërë këtë pa dërguar miratimin në kuvend.

Sipas tij, kjo është bërë pa u specifikuar se ku shkojnë mjetet dhe se e njëjta është shkelje procedurale.

Ai foli për problemet që përballen banorët e fshatrave Koliq, Ballaban, Prapashticë, Dabishec dhe Marec për shkak të mungesës së transportit.

Në konferencë gjithashtu është folur për parkingjet.

Gashi tha se Komuna inkason taksë për shfrytëzimin e parkingut prapa Pallatit të Rinisë, për çdo muaj nga 6 mijë e 765 euro.

Gashi: Kryetari ka bërë inkasim të paligjshëm

“Mbi cilën bazë ligjore inkaskohen këto mjete kur dihet se kontrata për dhënie në shfrytëzim të kësaj hapësire për parking publik, dikur e lidhur përmes tenderit publik, tanimë është e skaduar që disa vite dhe se sipas ligjit për prokurimin publik nuk ka kontratë të përjetshme. Nëse është kështu komuna bënë inkasim të paligjshëm për këtë hapësirë dhe se ky veprim është tejet i papranueshëm dhe jo ligjor”, tha Gashi.

Ai tha se ka hapësira të tjera ku komuna bën investime për rregullimin e tyre, por që të njëjtat nuk vihen në funksion, siç është rasti me hapësirën afër Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.

LDK tha se po i paraqet këto të dhëna në kohën që, sipas tyre, qeveria komunale nuk po bën asgjë për rregullimin e infrastrukturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat