Bill Clinton me 12 qershor vjen në Kosovë: Komuna e Prishtinës pastron statujën e tij

Prishtina

Bill Clinton me 12 qershor vjen në Kosovë: Komuna e Prishtinës pastron statujën e tij

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 18:17
Statuja e Bill Clinton

Në përvjetorin e 20-të të çlirimit dhe hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë pritet të marrin pjesë personalitete të ndryshme nga e gjithë bota.

Në këtë përvjetor jubilar do të marrë pjesë edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Bill Clinton.

Për këtë komuna e Prishtinës shihet se ka angazhuar një kompani pastrimi për ta pastruar statujën e ish-Presidentit amerikan, Bill Clinton, në Dardani.

Gjatë vitit 1999 ShBA në krye me ish-Presidentin Clinton kanë qenë protagonistët kryesorë në vendimin për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga Aleanca Veriatlantike NATO që atëbotë udhëhiqej nga gjenerali i famshëm amerikan Wesley Clark.

Përveç ish-Presidentit Clinton në ditën e çlirimit të Kosovës më 12 qershor pritet të jetë edhe ish-sekretarja e ShBA-së Madeline Albright.

Në kohën e intervenimit dhe të çlirimit të Kosovës, zonja Albright ishte sekretare e shtetit dhe zyrtarja kryesore amerikane që i dha shtytje fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Kjo është hera e katërt që Bill Clinton po e viziton Kosovën, ish-Presidenti Amerikan për herë të fundit e kishte vizituar Kosovën para 10 viteve, më 1 nëntor 2009 ku ishte pritur në mënyrë madhështore nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Po atë ditë ishte përuruar edhe shtatorja e tij në bulevardin Bill Clinton në kryeqytetin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat