Ende probleme me ajrosjen në Pallatin e Drejtësisë

Prishtina

Ende probleme me ajrosjen në Pallatin e Drejtësisë

Më: 10 qershor 2019 Në ora: 20:58
Ilustrim

Ende pa nisur fjalën e tij, ndërprerja e energjisë elektrike, këtë të hënë, bëri që kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, ta ndërpriste për disa minuta seancën në gjykimin ndaj tre ish-krerëve të Telekomit.

Por, kur energjia elektrike u rikthye, u shfaq një problem tjetër, ai me ajrosjen dhe ventilimin.

Ndonëse për disa orë rresht kjo seancë gjyqësore u zhvillua, situata nisi të përkeqësohej në orët e pasdites.

Ishte gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, e cila e kishte të pamundur të qëndronte më gjatë në këtë sallë.

E pas kësaj situate, kryetari i trupit gjykues mori vendim që ta ndërpresë dhe ta shtyjë atë për një ditë tjetër.

E kjo nuk ishte seanca e vetme që u anulua të hënën në Pallatin e Drejtësisë.

Problemet me ventilimin dhe ajrosjen e objektit bënë që disa seanca të shtyhen e në disa pjesë zyrtarët që punonin patën vështirësi gjatë punës.

“Ju konfirmojmë se në Pallatin e Drejtësisë, objektet A dhe D, të cilat shfrytëzohen nga Gjykata Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së sotme, ka pasur probleme lidhur me sistemin e ventilimit dhe ajrosjes së objektit.

Përkundër kësaj gjendjeje jo të mirë, puna në gjykatë ka vazhduar por me vështirësi të theksuara. Për pasojë, ka pasur seanca të shtyra”, ka thënë Mirlinda Gashi nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Zyrtarët e Gjykatës kanë treguar se kanë njoftuar Ministrinë e Administratës Publike për këtë çështje dhe se ata janë duke u përpjekur t’i sanojnë problemet.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që Pallati i Drejtësisë është ballafaquar me probleme të ndryshme teknike.

Ndërtimi i këtij pallati kishte kushtuar rreth 30 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat