Prishtinasit e painteresuar të debatojnë me deputetë

Prishtina

Prishtinasit e painteresuar të debatojnë me deputetë

Më: 14 qershor 2019 Në ora: 17:15
Pamje nga takimi

Qytetarët e Prishtinës e patën mundësinë sot që t’iu bëjnë pyetje deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga gjitha partitë politike.

Përkundër kësaj, numër i vogël i kishin ardhur për të shfrytëzuar këtë mundësi.  Mos interesimi i kryeqytetasve bëri dallimet edhe vet mes  pozitës  dhe opozitës. Këta të fundit thanë se duhet interesim më i madh i qytetarëve dhe vlerësim i punës së tyre, kurse nga ana e mazhorancës u shprehen se kjo ka ndodhur për shkak të punës së mirë të pushtetit.   

Edhe pse në numër të vogël, disa prej qytetarëve që ishin të pranishëm adresuan kritika ndaj mënyrës së qeverisjes dhe vet këtij formati, duke e cilësuar si fushatë elektorale.

Nevojën e debatit mes qytetarëve dhe deputetëve e theksoi deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, por tha se një kulturë e tillë e debatit po mungon.

Bajrami: Jam e befasuar me numrin e vogël të qytetarëve

Video:

“ Pak jam e befasuar me numrin e vogël të qytetarëve, po besoj që siç e diskutuam më herët organizimi në tema të caktuara kish me ngritë interesimin e qytetarëve. Është një mundësi e mirë...ne nuk kemi një kulturë të tillë të debatit fatkeqësisht ka munguar po mundemi që të krijojmë, do të kishte qenë mirë që debate të tilla të kishte dhe në mes të pjesëtarëve të Qeverisë, ministrave, kryeministrit”, tha Bajrami.

Kritike ndaj mos interesimit të qytetarëve u shpreh edhe deputetja nga radhët e VV-së Fitore Pacolli, e  cila tha se puna e qytetarëve është që t’i mbajnë në kontroll deputetët dhe t’i vlerësojnë çdo ditë.  

Sipas saj, ka disa deputet ëtë kuvendit të Kosovës që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe qytetarët nuk po kërkojnë llogari.

Pacolli: Nuk duhet që të na vlerësoni çdo katër vjet

“Ne nuk duhet që të na vlerësoni çdo katër vjet, duhet të na vlerësoni çdo ditë të na kritikoni çdo ditë, prandaj këtu po shohë që është një numër shumë i vogël i qytetarëve”, tha ajo.

Për të arsyetuar prezencën e vogël të qytetarëve, deputetja nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu tha se qytetarët janë të kënaqur me punën e Qeverisë Haradinaj. 

Haxhiu: Qytetarët e kryeqytetit janë të kënaqur me trajtimin e qeverisë Haradinaj

“Nuk është ajo që e ka pritë, por sigurisht qytetarët e kryeqytetit janë të kënaqur me trajtimin e qeverisë Haradinaj që po i bëhet kryeqytetit. Njëkohësisht kanë ardhur një pjesë që secili mundet me pas shumë pakënaqësi, por qeverisja e mirë ka treguar që kjo prezencë nuk është me probleme të mëdha qytetarët sepse janë trajtuar me Ligjin për kryeqytetin dhe me pronat”, tha deputetja Haxhiu.

Për numrin e vogël të pranishmëve u shpreh  edhe Bedri Mehmeti i cili pati kritika edhe për vet deputetët duke e cilësuar këtë debat sikur fushatë elektorale të tyre.

Mehmeti: Paraqitja e parë e deputetëve bën përshtypje si një fushat elektorale

“Kjo pjesëmarrje kaq e ulët e qytetarëve për Prishtinën që në bazë të regjistrimit i ka 400 mijë banorë, e këtu nuk janë as 40 e  tregon atë shkëputjen e udhëheqjes në përgjithësi prej bazës dhe popullatës. Vet pjesëmarrja tregon sa bashkëpunohet në këtë drejtim. Kishte të drejtë zonja Hikmete që numri është shumë i vogël.  Paraqitja e parë e deputetëve që janë të pranishëm mua më bëri përshtypje më shumë si një fushatë elektorale se sa që kanë ardhur të konsutohen me  qytetarët. Tjetër mendim i imi është se nuk kam ardhë me marr përgjigje  prej  tyre, në përjashtim ndonjë diçka të lehtë sepse përgjigje presim me marr në vendin ku merren vendime”, shtoi ai.

17 vjeçari Art Mërkoja me tone të ashpra adresoi kritika ndaj institucioneve publike dhe deputetëve duke konsideruar se numri i madh i Ministrive, keqpërdorimet që po ndodhin sipas  tij po i bëjnë dëm shumë Kosovës.

Mërkoja: Kemi listat e veteranëve që po na qeshin krejt që i kemi 60 mijë veteranë

“E vlerësoj gjithë atë bagazh të diturisë që e keni, por keqpërdorimet me i bërë nuk  duhet me qenë ndonjë doktor shkence. Së pari me fillua në kabinetin që e drejton zotëri Haradinaj i kemi 21 ministri, jemi vendi më i vogël në Evropë i kemi mbi 100 zëvendës ministra. Po t’i potencoj kështu, por ju e dini më mirë se unë. Pastaj  e kemi gjigandin e Postës e keni çuar në atë nivel që është marre dhe është pasqyrë për vendin tonë çfarë gjendje është ra. I kemi listat e veteranëve që po na qeshin krejt që i kemi 60 mijë veteranë. Me pas qenë 60 mijë veteranë ne do të shkonim deri në Nish te Molla e Kuqe”, tha Mërkoja.  

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe  Dardan Sejdiu i PSD-së dhe Blerta Deliu-Kodra e PDK-së të cilët potencuan se  duhet bashkëpunim më i madh ndërmjet qytetarëve dhe tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat