INPO: Komuna e Prishtinës e ka bërë zakon injorimin obligimeve ligjore

Prishtina

INPO: Komuna e Prishtinës e ka bërë zakon injorimin obligimeve ligjore

Më: 27 qershor 2019 Në ora: 11:37
Foto

Organizata INPO ka reaguar ashpër ndaj dështimeve dhe papërgjegjshmërisë së kryetarit të Komunës së Prishtinë në zbatimin e obligimeve ligjore për planifikimin e politikave fiskale dhe financiare të komunës.

“Komuna e Prishtinës edhe këtë vit, ka dështuar të hartojë dhe të miratojë Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) 2020-2022. Madje deri më sot komuna nuk ka asnjë draft të këtij dokumenti. Këto dështime të përvitshme të kryetarit shpërfaqin mungesën e kompetencës profesionale të zyrtarëve komunal të zgjedhur dhe të emëruar, për të planifikuar politikat fiskale dhe financiare të komunës dhe për të përcaktuar objektivat zhvillimore për tri vitet e ardhshme, ashtu sikur përcaktohet më Ligjin për Financat Publike dhe Përgjegjësitë dhe Qarkoren Buxhetore 2020/01 të Ministrisë së Financave”, thuhet në deklaratë.

INPO thotë se ekzekutivi i Prishtinës e ka shndërruar në zakon injorimin obligimeve ligjore në raport me hartimin dhe miratimin e KASH, pasi edhe në vitet e kaluara komuna ka vepruar në të njëjtën mënyrë duke mos përfillur ligjet në fuqi dhe duke e injoruar në tërësi Kuvendin Komunal dhe qytetarët.

Sipas tyre, Kuvendi gjithashtu ka dështuar të ushtrojë kompetencat dhe mandatin e tij ligjor për të mbikëqyrur ekzekutivin dhe për të kërkuar llogaridhënie për këto dështime të njëpasnjëshme.

“Ia rikujtojmë kryetarit të Komunës, se në vitin 2018 nuk ka arritur ta shpenzojë as gjysmën e buxhetit të planifikuar për investime kapitale, me çka dëshmon paaftësinë e komunës për t`i planifikuar dhe realizuar projektet kapitale brenda vitit buxhetor. Po ashtu, shprehim shqetësim për mos zbatimin e parimeve të transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në hartimin e këtij dokumenti”, thuhet në deklaratë.

INPO thuhet se sipas ligjeve në fuqi komuna është dashur që gjatë muajit qershor të mbajë takime publike me qytetarë dhe grupe të tjera të interesit për të marrë komentet dhe propozimet e tyre rreth këtij dokumenti.

INPO vlerëson se kjo papërgjegjshmëri e organeve komunale cenon rëndë sundimin e ligjit në komunë dhe zbatimin e parimeve të qeverisjes së mirë, ndaj kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që t`i ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin e ligjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat