Uiversiteti i Prishtinës do të pranojë mbi 7 mijë studentë të rinj

Prishtina

Uiversiteti i Prishtinës do të pranojë mbi 7 mijë studentë të rinj

Më: 4 korrik 2019 Në ora: 18:15
Hysen Bytyçi

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2019/2020. Këtë vit është paraparë që UP të pranojë 7 mijë e 116 studentë në 66 programe studimi.

Në numrin prej 7 mijë e 116 studentë, 6 mijë e 206 do të jenë studentë të rregullt, ndërsa 910 studentë me korrespodencë. Për dallim nga herët e tjera, këtë vit nuk është paraparë kuota për studentët që janë familjarë të ngushtë të dëshmorëve.

Prorektori për mësim dhe çështje të studentëve, Hysen Bytyçi, ka bërë të ditur se konkursi do të jetë i hapur deri të premten e javës së ardhshme.

Bytyçi: Do të pranojmë 7 mijë e 116 vende

“Sot po e shpallim në web faqen e Universitetit të Prishtinës konkursin për regjistrimin e studentëve, prej nesër të gjithë të interesuarit mund të bëjnë aplikimet dhe konkursi mbetet i hapur deri të premten në ora 16:00. Do të thotë të premten e ardhshme me datë 12 korrik. Ne vërtetë jemi të lumtur që ofrojmë një mundësi për regjistrim të studentëve në UP në 7 mijë e 116 vende, në 66 programe studimore të nivelit bachelor.  Natyrisht në kuadër të këtyre programeve janë edhe 5 programe që ne i quajmë programe të studimeve të integruara e që janë specifikë për arkitekturën, mjekësinë dhe veterinarinë”, tha ai.

Bytyçi ka treguar se cilat janë kushtet që duhet të përmbushin studentët për të qenë pjesë e UP-së.

Bytyçi: Kushtet janë përafërsisht sikurse viteve të kaluara

“Kushtet janë përafërsisht sikurse viteve të  kaluara, e sidomos të vitit të kaluar. Për studentët të cilët kanë provimin e maturës apo iu kanë nënshtruar provimit të maturës, suksesi i treguar gjatë provimit të maturës është 30 përqind e formulës së përllogaritjes së rezultatit final të aplikantëve të ndryshëm. 30 përqindëshi tjetër vjen  nga suksesi në shkollimin e tyre paraprak, në shkollën e mesme dhe 40 përqind vjen  nga testi që është specifikë për programin studimor dhe i cili përpilohet nga njësitet akademike”, bëri të ditur ai.

Bytyçi tha se ata që dëshirojnë të aplikojnë në UP e që kanë kryer studimet në kohën kur nuk ka pasur test të maturës, atëherë për ta llogaritet suksesi me 70 përqind të testimit në fakultetin ku aplikon, kurse 30 përqind nga suksesi i shkollës së mesme.

Ai bëri të ditur se si shtesë e numrit të përgjithshëm UP do të regjistrojë deri në 12 përqind të studentëve nga komunitetet jo shumicë. Po ashtu, është paraparë edhe regjistrimi i studentëve që vijnë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga Lugina e Preshevës.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Bytyçi deklaroi se nuk është paraparë kuotë për studentët që janë familjarë të ngushtë të dëshmorëve.

Bytyçi: Këtë vit UP nuk e ka paraparë një gjë të tillë

“Këtë vit UP nuk e ka paraparë një gjë të tillë, duke konsideruar se një kuotë e tillë e paraparë prej 2 përqind, e cila nëse futet në numrin e përgjithshëm zakonisht nuk do të mund të mbulohej me të tjerët, e para. E dyta, është se natyrshëm ka vite dhe pritshmëritë mund të jenë tejet minimale nëse mund të themi që eksiton tek një fëmijë i cili mund të shfrytëzojë këtë benifit që e parasheh kjo kuotë. Nëse ekziston një numër aq i vogël në krahasim me kuotën 2 përqind e cila mandej nuk do të mund të plotësohet prej studentëve të tjerë, mendoj që vlen që të hyjnë në garë me studentët e tjerë për të marrë vendin në regjistrim”, deklaroi ai.

Konkursi nga sot do të jetë i hapur deri më 12 korrik, ku studentët do të kenë mundësi që në mënyrë elektronike të aplikojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat