Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Prishtina

Dënohet me 500 euro gjobë i akuzuari për armëmbajtje pa leje

Më: 22 korrik 2019 Në ora: 16:44
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Zymer Isufi, pasi i njëjti pranoi fajësinë.

Të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i armëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën nga gjykatësi Shefqet Baleci, i akuzuari, gjithashtu, është obliguar të paguajë edhe shumën prej 30 eurosh në emër të paushallit gjyqësor dhe shumën 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Paraprakisht, në shqyrtimin fillestar të së hënës, Isufi e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Merita Shala-Muhaxhiri, i cili më pas është aprovuar edhe nga gjykatësi Baleci.

Ky i fundit, në fillim të seancës bëri korrigjimin e aktakuzës, përkatësisht kualifikimin e  veprës penale nga “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të  Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, në veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 27 qershor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Zymer Isufit, me arsyetimin se ai, me 28 maj 2019, rreth orës 7:30, në fshatin Sankoc, Komuna e Drenasit, në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi në kundërshtim me ligjin dy armë zjarri.

Sipas aktit akuzues, kur njësitë policore të Stacionit të Aeroportit, Njësia e Inteligjencës dhe njësitë mbështetëse NJSO kanë shkuar në fshatin Sankoc, për një kontroll sipas planit operativ “KONTRABANDA”, në shtëpinë e të pandehurit kanë gjetur dhe sekuestruar armët e zjarrit, pistoletë të llojit “M-57 TT” dhe tetë copë fishek me mbishkrimin “TT64” dhe një karikator të kësaj arme, si dhe nja pushkë gjuetie prodhim turk, 14 copë fishekë të kësaj arme, për të cilën i ka skaduar leja e armës në vitin 2005.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat