Prishtina pa gjelbërim, të gjithë ankohen, komuna nuk përgjigjet

Prishtina

Prishtina pa gjelbërim, të gjithë ankohen, komuna nuk përgjigjet

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 13:04
Foto ilustrim

Mbingarkesa e kryeqytetit me ndërtesa shumëkatëshe e me hapësira tejet të vogla, e ndonjëherë inekzistente mes tyre, ka bërë që Prishtina të shndërrohet në qytetin e pluhurit dhe betonit. Arkitektët e edhe qytetarët ankohen dhe fajësojnë komunën por vazhdojnë të blejnë objekte, ndërsa në Komunë nuk japin përgjigje.

Në lagjet e vjetra si Ulpiana dhe Dardania, ndodhen edhe parqet, porse e njëjta nuk po ndodh në lagjen Mati 1, ku ndonëse ndërtimet nuk kanë të ndalur, nuk po përfillen kriteret për gjelbërimin, e të cilat janë të përcaktuara sipas ligjit varësisht nga zona se ku ndodhet objekti. Vetëm në lagjen e Matit, koeficienti i gjelbërimit sillet prej 0.1 deri në 0.4 përqind.

Pasojat e mungesës së hapësirave gjelbëruese më së shumti po i vuajnë fëmijët të cilët nuk kanë se ku të kalojnë kohën e lirë, ndërsa më të moshuarit ankohen edhe për infrastrukturën e dobët në këtë pjesë të qytetit.

Arkitekti Arbër Sadiku, thotë për KosovaPress, se ky kaos që ka kapluar këtë zonë, vjen kryesisht si rezultat i inspektimit të dobët të ndërtimeve.

Ai vlerëson se koeficienti për gjelbërim duhet të jetë minimalisht 0.5, ku gjysma e hapësirës (shputës) do të ishte ndërtim, e gjysma hapësirë gjelbëruese.

Sadiku thekson se edhe ato pak hapësira të parapara për shfrytëzim të përbashkët nga ana e banorëve që jetojnë në ato banesa, prona e përbashkët po shfrytëzohet vetëm nga disa persona të cilët po zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor.

Sadiku: Problemi më i madh është tek inspektimi i ndërtimeve

“Problemi më i madh tek mungesa e hapësirave gjelbëruese është tek inspektimi i ndërtimeve, tek të cilat, edhe ai pak koeficient që parashihet në plane dhe që në dorëzimin e dokumentacionit për leje ndërtimore, detyrimisht duhet të qëndrojë në projekt si hapësirë gjelbëruese, gjatë realizimit ai zhduket. Shumicën e rasteve, ose shndërrohet në parking shtesë për shkak se i mungon një sasi e madhe e parkingjeve, ose uzurpohet prej lokaleve të përdhesës, ose prej kujtdo qoftë që ka pronën e vet në atë ndërtesë  në katin përdhesë. Që është një abuzim i pastër, ku pronarët e lokaleve të përdheses, konsiderojnë se hapësira para lokalit të tyre i takon atyre. 2:07 Kjo duhet të rregullohet prej organeve komunale që të mos lejohet një abuzim i tillë”, thotë ai.

Ai vlerëson se as planet nuk janë të hartuara mirë. Thotë se ka një interes të madh për të ekzagjeruar koeficientin e ndërtimit, duke e lënë anash koeficientin e gjelbërimit.

Sipas tij, më e pakta që mund të bëhet është respektimi i koeficienteve ekzistues, ose ndryshe thotë se duhet të bëhet revidimi i planeve.

Sadiku: Koeficienti i gjelbërimit është tmerrësisht i vogël

“Po ta shohësh Matin, koeficienti i gjelbërimit sillet prej 0.1 deri në 0.4, që është tmerrësisht i vogël. 0.1 do të thotë 1/10 e parcelës duhet me qenë gjelbërim, minimalisht, ish dashtë me qenë 0.5, gjysma me qenë shputë ndërtimore, gjysma me qenë gjelbërim. Nonsensi më i madh se në pjesën ku parashihen ndërtesa të larta deri në 6 kate, aty koeficienti është 0.1, ndërsa logjika e thotë të kundërtën... 6:10 Mbi të gjitha, ligji e parasheh revidimin e planeve rregullative, i cili nuk është bërë kurrë”, shpjegon Sadiku.

Sipas Sadikut, është e domosdoshme një qytetari më aktive për të luftuar për një hapësirë të përbashkët publike.

Sadiku: Në luftën për hapësirën publike duhet të kyçen krejt

“Mendoj që në luftën për hapësirën publike duhet të kyçen krejt. Një dozë të madhe të lëshimeve e ka autoriteti që në këtë rast është komuna e Prishtinës, mirëpo nuk duhet lënë vetëm në dorë të institucionit, por duhet të jenë më luftarak edhe komuniteti i cili jeton aty, në mënyrë që hapësirat e përbashkëta të jenë mirëfilli të përbashkëta, jo vetëm të qëndrojnë në letra si të përbashkëta  dhe n praktikë të përdorën prej më të fortit, themi kështu me terma të përditshëm”, shprehet ai.

Për qytetarin Murtez Hasani, mungesa e gjelbërimit dhe pluhuri i shumtë po e bëjnë të vështirë jetën në kryeqytet.

Ai për KosovaPress thotë se kanë probleme edhe me trotuaret.

Hasani: Veç zori se nuk jetohet këtu

“Më dobët nuk ka. Marum. A po e sheh? Këqyri trotuaret, a mund të ecë njeriu këtej, duhet me dal andej. Hajde ne të mëdhenjtë mundemi me dalë disi, po dikush me fëmijë? U mbush këtu, plot u mbush. Këtu veç zori se nuk jetohet këtu”, thotë ai.

Edhe Arzie Aliu thotë se u mungojnë shumë hapësirat gjelbëruese.

Ajo shprehet e pakënaqur edhe me infrastrukturën e lagjes ku jeton, pasi thotë se edhe kur po intervenohet aty, rrugët po dëmtohen nga ndërtimet tjera.

Aliu: Po më dhimbsen fëmijët, të gjithë kemi nevojë për hapësira gjelbëruese

“Po më dhimbsen fëmijët, të rinjtë. Normal edhe ne të moshuarit kemi nevojë për gjelbërim, me dalë me pushu diku, por nuk ke ku me dal... Tërë ditën tu këqyr në telefon, krejt ato gjeste të telefonit tu i përdorë fëmija në shtëpi”, shprehet ajo për KosovaPress.

Kurse Azem Rrahmani thotë se Lagjja e Matit është me më së paku gjelbërim.

Rrahmani: Lagjja e Matit me më së paku gjelbërim

“Kjo është shumë mungesë sidomos për fëmijët, për ajër, për çdo gjë. Me letra po thonë 60 %, po ku është 60 %. Qe ku e ke këtë objektin këtu afër, ndoshta nuk është mirë me thënë me emër e sene por ku i ka ky objekt 60 %. Nuk ka kërkund në Kosovë 60 %, sidomos në lagjen e Matit”, thotë ai.

Përkundër insistimit të KosovaPress-it, komuna e Prishtinës nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me këtë temë. Madje zyrtarja për infomrim në këtë institucion, Miranda Mullafazliu për disa ditë me radhë ka kërkuar që t’i kenë pyetjet për këtë qështje, edhe pse u ëhstë treguar tema.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat