Hapësira që po u rrezikon jetën fëmijëve tash e 6 vite

Prishtina

Hapësira që po u rrezikon jetën fëmijëve tash e 6 vite

Më: 5 gusht 2019 Në ora: 23:08
Pamje nga video

Për çdo ditë, fëmijët lëvizin afër këtij objekti.

Jo rrallë herë u ndodh që edhe topi u bie në këtë ndërtesë, që tashmë vlon nga papastërtia.

E kjo situatë sjell rrezik, për fëmijët e lagjes Dodona në Prishtinë.

Krejt kjo për shkak të këtij objekti që ka 6 vite që është nisur për tu ndërtuar, por që përfundimi i tij nuk duket të jetë as afër.

Në fakt këtu ishte nisur të ndërtohet objekti i shkollës së re të muzikës ‘Prenk Jakova’, i nisur në kohën kur Isa Mustafa, ishte kryetar i Prishtinës.

Por, punimet në këtë objekt u ndalën kur erdhi Shpend Ahmeti në krye të komunës.

Ky i fundit, e kishte arsyetuar ndërprerjen e punës, me atë se po ngulfatet hapësira.

Por gjendja e këtij objekti, ka alarmuar banorët që jetojnë afër.

Sidomos prindërit, i frikësohen rrezikut të madh që mund t’u kanoset fëmijëve, derisa çdo ditë po luajnë aty.

Ata dhe po habiten, se si komuna tash e 6 vite e ka neglizhuar këtë çështje.

Por nga komuna e Prishtinës në një përgjigje për T7, kanë thënë se tashmë kanë nisur të punojnë, që të largojnë ujin përmes pompave.

Ndërsa të njëjtit nuk treguan se si do veprohet me këtë objekt.

“Tash e disa ditë, inspektorët bashkë me zyrtarët e shërbimeve publike dhe zjarrfikësit janë angazhuar për largimin e ujit përmes pompave dhe sigurimin e asaj hapësirë.

Tashmë uji është gati në nivelin zero. Në fund do të riparohet edhe rrethoja mbrapa objektit, në mënyrë që të pamundësohet qasja”, ka treguar Adonis Tahiri , Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës.

Afati kohor për ndërtimin e kësaj shkolle, ishte 150 ditë dhe ishte paraparë të kushtojë afër 1 milion euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat