Produktet ushqimore të ekspozuara në diell në Prishtinë, rrezikohet shëndeti i konsumatorëve

Prishtina

Produktet ushqimore të ekspozuara në diell në Prishtinë, rrezikohet shëndeti i konsumatorëve

Më: 12 gusht 2019 Në ora: 13:57
Produktet ushqimore të ekspozuara në diell në Prishtinë, rrezikohet shëndeti i konsumatorëve

Pavarësisht vapës së madhe që po mbretëron në vend, shumë produkte ushqimore vazhdojnë të shiten në kushte jo adekuate. Në tregun e gjelbër të Prishtinës sot ishin të ekspozuara produkte të bulmetit dhe mishit të cilat paraqesin një rrezik të lartë për shëndetin e njerëzve.

Edhe pse konsumatorët thonë se janë në dijeni për rrezikun shëndetësor nga këto produkte, ata prapë vazhdojnë t’i blejnë ato.

E në anën tjetër edhe tregtarët janë të vetëdijshëm për produktet që paraqesin rrezik, por shprehën se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Sot meqë ishte ditë pushimi, nuk u panë në terren as inspektorati komunal i Prishtinës, e në punë nuk kishin dalë sot as mjekët e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Zëdhënësja e Institutit, Era Pireva nuk e ka hapur telefonin.

Qytetari Edmond Kaja deklaron se është i vetëdijshëm për pasojat që mund të jenë nga produktet e ekspozuara në këto temperatura të larta, por sipas të cilit nuk ka zgjidhje tjetër deri në krijimin e kushteve adekuate.

Kaja: Është rrezik për shëndet, por ne po i blejmë

 “Ndoshta është rrezik, por ne po I blejmë. S’e di sa është rrezik, me siguri se është, sepse është bulmet, por s’po ka zgjidhje tjetër. Gjithqysh duhet me qenë një vend adekuat i mbyllur me ventilim. Por, pa e hapur diku tjetër nuk duhet ndaluar kjo shitje, dhe pa u bërë një zgjidhje tjetër nuk duhet me u ndaluar, s’e ne duhet me ble diku”, thekson ai.

Edhe Remzi Mehmeti nga Prishtina shprehet se komuna e Prishtinës duhet ta ndërtojë një treg me kushte më të mirë. Sipas Mehmetit, derisa nuk ka zgjidhje tjetër, qytetarët dhe tregtarët janë të pa fajshëm.

Mehmeti: Temperatura e bënë të vetën, por s’po kemi qare pa u ushqyer

“Temperatura e bënë të vetën, pore dhe në s’po kemi qare pa u ushqyer… S’kemi çka me bërë ne, kur vet komuna dhe vet shteti nuk interesohet për treg, ngaqë brenda shumica qëndrojnë zbrazur. Çka me I bërë këtij populli, kur ne jemi nevojtar, edhe tregtarët janë në zor, në hall. Pra, diku duhet me u furnizua”, deklaron Mehmeti.

Edhe Fehmi Rexhepi qytetar duke ditur për rrezikun e mundshëm shëndetësor, deklaron se komuna e Prishtinës duhet të bëjë zgjidhje për një treg me kushte më të mira.

Rexhepi: Komuna e Prishtinës duhet të bëjë zgjidhje për treg

“Absolutisht është rrezik, sepse temperatura është shumë e lartë, prandaj, komuna e Prishtinës duhet të bëjë zgjidhje për një treg në të cilin mund të tregtohet më lirshëm, më mirë dhe më kushte në temperatura më të ulëta”, thotë Rexhepi.

Ndërsa, tregtari i cili ishte i mllefosur dhe ka fyer ekipin e KosovaPress, deklaron shkurt se produktet e ekspozuara në temperatura të larta nuk paraqesin rrezik të madh.

Tregtari i cili nuk tregoi emrin, tha se produktet që ai i shet i mbanë të freskëta.

Tregtari: S’kemi probleme të mëdha me temperaturat e larta

“Po mundohemi kapak me punuar. Jo nuk ka telashe(probleme) me temperaturat e larta. S’kemi telashe asgjë ne. Të rrezikshme janë pak, por s’është ku me ditë sesa. I mbajmë me ujë(për freski)”, deklaron tregtari.

Edhe fermerët që shisnin qumështin, thonë se tregu është i mbyllur sot dhe nuk kanë ku të shesin përveçse në rrugë.

Tregtarët: E dimë që nuk është mirë këtu, por s’po kemi çka me bërë

“E dimë që nuk është mirë këtu hiq, por s’po kemi çka me bërë s’e... Është i mbyllur, por veç sot. E kemi vendin, por veç sot që është i mbyllur tregu, festë”, deklaron njëri nga ta.

Edhe në Klinikën Infektive në QKU sot mjekët ishin në pushim, drejtori i kësaj Klinike, Hamdi Ramadani i kontaktuar me telefon tha se është në pushim, por ka sugjeruar që të marrim informacione në Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ndryshe ditëve të fundit temperaturat në vendin tonë kanë shënuar mbi 36 gradë celsius.

Instituti vazhdimisht dërgon njoftime duke bërë thirrje për kujdes, që askush mos t’i ekspozohet vapës, të konsumohen lëngje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat