Vonesa e tollovi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Prishtina

Vonesa e tollovi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 14:28

Greva e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” është duke shkaktuar telashe dhe vonesa të mëdha të fluturimeve. Të revoltuar me këtë gjendje të krijuar janë edhe pasagjerët të cilët thonë se nuk janë njoftuar se do kenë vonesa.

Betim Osmani i cili qysh nga ora 05:00 e mëngjesit po priste për të fluturuar drejtë Amerikës është shprehur se pasagjerët janë të shqetësuar për situatën e krijuar.

Ai e ka mirëpritur këtë grevë, por sipas tij, është dashur të njoftohen më herët për këto vonesa.

Osmani: Njerëzit janë të shqetësuar  jemi duke pritur që nga ora pesë e mëngjesit

“Jemi prej orës 05:00, në orën 08:00 ka filluar greva unë si qytetar e mirëpres këtë grevë se pa ia bë kështu ky shtet nuk ec përpara edhe pse kemi me pas vonesa, ka të moshuar, të rinj, fëmijë duke pritur janë shqetësuar njerëzit”, tha ai.

Vendmbërritje Amerikën e kishte edhe Arton Preniqi i cili për KosovaPress deklaron se për shkak të kësaj greve po u shkaktohen vonesa të panevojshme.

Ai ka kërkuar që problemet e punëtorëve të zgjidhen nga Qeveria e Kosovës e jo të kenë telashe pasagjerët.

Preniqi: Problemet le t’i zgjedhin në qeveri, jo me i marr njerëzit në qafë

“Prej 07”00 në mëngjes...në orën 09:00 është fluturimi tani e lajmëruan në orën 10:00...Jo asgjë, ne erdhëm këtu dy punonin më herët e ndalën 20 veta i futën edhe e ndërprenë, ata për Zvicër për Gjenevë i kanë lëshuar. Tash ne në Turqi duhet me pushua sepse aeroplani i Turqisë nuk pret për Amerikë, me qenë me lajmërua bile e dimë që ka vonesa këtu secili jo ka protesta,ata do t’i zgjedhin në qeveri se jo këtu me i marr njerëzit në qafë“, u shpreh ky pasagjer.

Drejtë shtetit të  Finlandës po priste disa orë me vonesë për të udhëtuar edhe pasagjeri, Faruk Hyseni i cili tha se askush nuk i ka lajmëruar se do ketë vonesa.

Hyseni: Nuk na ka lajmëruar askush se do ketë vonesa, jam duke pritur që nga ora shtatë e mëngjesit

“Nga ora 07:00, normal që ka sepse ne kemi pasur me flutura në orën 09:05 minuta...Jo nuk na ka lajmëruar askush prej orës 07:00”, deklaroi ky bashkatdhetar.

Në anën tjerë Sindikata e Pavarur e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” ka paralajmëruar grevë gjashtë orëshe për të mërkurën.

E me qëllim që mbarëvajtja e fluturimeve të jetë  sipas planit operativ, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara ka siguruar të gjithë pasagjerët që të gjitha fluturimet do të realizohen me kohë në rast se greva realizohet sipas kornizave ligjore.

Gara: Kemi marr të gjitha masat për një grevë brenda kornizave ligjore

“Sa i përket ditës së nesërme ne përsëri e  përsërisim ne kemi marr të gjitha masat për një grevë e cila është brenda kornizave ligjore, mirëpo në rast të tejkalimit të situatës atëherë nuk është në kompetencat tona, mirëpo është në kompetencat e autoriteteve përkatëse për mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, tha Gara.

Në anën tjetër, inspektorët e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës që gjatë kohës së grevës kanë vëzhguar për së afërmi vijimin e operimeve në pajtim me rregullat dhe standardet e zbatueshme për siguri të operimeve, u shprehën se nuk kanë vërejtur ndonjë parregullsi.

Greva pritet të vazhdoj edhe të mërkurën nga ora 08:00 deri në ora 14:00, prandaj AAC lut udhëtarët që të monitorojnë komunikatat e ANP “Adem Jashari” dhe të planifikojnë itinerarin e udhëtimeve në koordinim të ngushtë me kompanitë ajrore apo përfaqësuesit e tyre.

Kujtojmë se qysh nga dje punëtorët e Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” kanë mbajtur grevë me qëllim të plotësimit të pesë kërkesave të tyre, të cilat ata po i konsiderojnë ligjore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat