Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” edhe nesër protestojnë kundër mbylljes së shkollës

Prishtina

Nxënësit e gjimnazit “Ahmet Gashi” edhe nesër protestojnë kundër mbylljes së shkollës

Më: 5 shtator 2019 Në ora: 16:03
Foto

Vendimi i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës që të mbyllet gjimnazi i shkencave shoqërore “Ahmet Gashi” ka ngjallur reagime të shumta dhe ka hasur në kundërshtim nga mësimdhënësit dhe nxënësit të cilët përveç protestës së sotme po paralajmërojnë se do protestojnë edhe nesër.

Drejtoria e Arsimit të Prishtinës ka marrë vendim që nxënësit e klasës së 10-të të gjimnazit “Ahmet Gashi”  të vendosën në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta do të vendosën në gjimnazin natyror “Sami Frashëri”.

E lidhur me këtë vendim drejtori i gjimnazit të shkencave shoqërore, “Ahmet Gashi”, Ilmi Reçica tha se vendimi për mbylljen e shkollës nuk e kanë pritur mirë as mësimdhënësit as nxënësit por as prindërit.

Sipas tij ndarja e klasave në dy shkolla të ndryshme e sidomos i nxënësve të klasës të 10-të të cilët do vijojnë tutje mësimin në shkollën fillore “Emin Duraku” do jetë i vështirë.    Gjatë ditës së sotme Reçica tha se janë takuar me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe janw siguruar se në këtë hapësirë të shkollës nuk do ketë ndërtim tjerër përveç një shkolle të re.

Madje ia tha se në këtë takim jam dakorduar edhe për një vlerësim tjetër ndaj objektit të shkollës për të parë se a mund të ketë vetëm një renovim apo duhet gjithsesi të rrënohet.

Reçica: Mësimdhënësit kërkojnë vendim të shkruar se do të ndërtohet vetëm shkollë jo diçka tjetër

“Mësimdhënësit kërkojnë garancione që të jepet një vendim sikurse është lëshuar një vendim me shkrim për tu dislokuar në shkollat tjera, ashtu të jepet edhe një vendim tjetër me shkrim që ky truall do jetë shkollë...Është shumë më e vështirë në dy objekte shkollore dhe problemi tjetër që  e kemi që nxënësit e shkollave të mesme të dërgohen në shkollë fillore është pak më e vështirë akoma paraqet edhe  një problem tjetër , mirëpo është më e vështirë por me angazhimin siç e kanë bërë edhe mësimdhënësit besoj se do ia dalim”, tha ai.

Vendimin për mbylljen e shkollës nuk e kanë mirëpritur edhe mësimdhënësit të cilët thonë se zhvendosja e disa paraleleve në njërën shkollë e disa në tjetrën do ndikojë negativisht edhe në procesin mësimor.

Profesori i  Edukatës Qytetare, Haxhi Metaj thotë se ende nuk kanë vendosur se a do e pranojnë vendimin për zhvendosje të nxënësve në shkollat tjera.

Sipas tij, shpërndarja e nxënësve në dy shkolla të ndryshme do të ndikojë edhe në rënie e mësimit.

Metaj: Nuk kemi vendosur se a do e pranojmë vendimin për mbylljen e shkollës 

“Ende nuk kemi vendosur së pari do të ulemi si Këshill i mësimdhënësve , bordi i shkollës, këshilli i prindërve në mënrë që të marrim vendim .Dilemat janë shpërndarje është problem jashtëzakonisht i madh nuk është e lehtë që një kolektiv që jemi që shumë vite me u shpërndarë me shkua në shkolla tjera, klasat e 10 atje klasat e 11, 12 andej edhe mandej rikthimi në të njëjtin objekt...Natyrisht që ndikon sepse në momentin që nuk fillon me vit shkollor në mënyrë të rregullt sigurisht që ndikon edhe në cilësi edhe është gjendje stresuese” deklaroi Metaj.

Mbyllja e shkollës është veprim i papranueshëm edhe për nxënësit të cilët po thonë se deri në arritjen e një kompromisi nuk do i ndalin protestat.

Nxënësja e klasës së dymbëdhjetë në gjimnazin “Ahmet Gashi”, Arjeta Krasniqi tha për KosovaPress se vendimi për mbylljen e kësaj shkolle është i gabuar dhe se dislokimi i tyre në shkolla tjera sipas saj është i papranueshëm.

Kjo maturante tha se edhe nesër do të protestojnë kundër vendimit të komunës së Prishtinës.

Krasniqi: Jemi të gatshëm të protestojmë 

“Për neve nxënësit është një vendim shumë i keq sepse mu largua nga një shkollë që je mësuar afër 3-4 viteve edhe me shkua në shkollë tjetër është pak absurde, por ne kemi marr vendim që nëse ministria e Arsimit dhe komuna me kryetarin Shpend Ahmeti nëse nuk na jep një letër të garantuar që ne prapë do kthehemi në shkollë edhe pasi të rindërtohet atëherë ne e kemi synim që mos të ndalemi me protesta edhe mos me mbajt mësim...Besoj që nëse nuk hapet shkolla jemi prapë në gatishmëri  të protestës ...Besoj se nga ora 08:00- 09:00 aty diku”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër,  drejtoresha e Arsimit, në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala  gjatë ditës së sotme në një konferencë për media tha se deri tek vendimi i mbyllës së gjimnazit  “Ahmet Gashi” erdhi pasi është vlerësuar se objekti nuk ofron kushte për mësimdhënie.

Shala: Për shkak të gjendjes emergjente të shkollës kemi marr vendim të mbyllet shkolla

“Si drejtori i Arsimit ne kemi lëshuar një vendim për dislokimin e nxënësve nga gjimnazi “Ahmet Gashi”, në dy shkolla është fjala për klasën e 10 që do të kaloj në shkollën fillore “Emin Duraku”, kurse klasa e 11 dhe 12-të do të kaloj në gjimnazin “Sami Frashëri”. Gjithë kjo për shkak se është bërë një vlerësim i stabilitetit të ndërtesës dhe kushteve për mbajtjen e mësimit dhe kjo ndërtesë nuk i plotëson kushtet. Domethënë është gjendje emergjente është në pyetje siguria e nxënësve dhe për këtë arsye kemi menduar dhe kemi marr vendim që fëmijët të zhvendosen në dy lokacionet”, tha Shala.

Ajo gjatë kësaj konferenca ka siguruar se në hapësirën e gjimnazit “Ahmet Gashi” do të ndërtohet shkollë e ri,  e jo qendër tregtare.

Ndaj vendimit  të Drejtorisë së Arsimit, që ky gjimnaz të transferohet në dy shkolla tjera, sot nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” më Prishtinë, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.

Kujtojmë që gjimnazi i shkencave shoqërore “Ahmeti Gashi “në Prishtinë ka rreth 1500 nxënës , të sistemuar në 40 klasë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat