Prishtina ende pa polici komunale, më shumë se një vit pasi u bë me ligj

Prishtina

Prishtina ende pa polici komunale, më shumë se një vit pasi u bë me ligj

Më: 28 shtator 2019 Në ora: 00:35
Foto ilustrim

Më shumë se një vit nga hyrja në fuqi e Ligjit për Prishtinën, kryeqyteti ende nuk e ka policinë komunale.

Procedurat për themelimin e saj kanë mbetur peng i një udhëzimi administrativ, të cilin Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk e ka hartuar.

Por, përgatitja e udhëzimit që përcakton formën e krijimit të policisë komunale dhe mënyrën e funksionimit të saj, sipas kreut të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka hasur në rezistencë të MPB-së dhe Policisë.

Ahmeti thotë kryeqyteti nuk po kërkon kompetenca në zinxhirin komandues të Policisë, por vetëm patrullim nëpër lagje, në komunikacion dhe asistencë më të shpejtë ndaj Inspektoratit komunal, raporton KTV.

Udhëheqësi i Prishtinës pret që këtë çështje ta diskutojë më intensivisht me Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këta të fundit, me gjithë premtimin se do të deklaroheshin për këtë çështje, më pas nuk u janë përgjigjur thirrjeve të njëpasnjëshme të televizionit.

Në anën tjetër, qytetarët e vlerësojnë shumë të rëndësishme punën e një policie të tillë, derisa kërkojnë që të tejkalohen mospajtimet ndërmjet institucioneve.

Kryetari Ahmeti ka bërë të ditur se kanë ndarë paratë për pagat e policëve komunalë, të cilët pritet të kenë uniformë ndryshe nga pjesa tjetër e Policisë.

Një drejtori të veçantë të Policisë për kryeqytetin e ka edhe Shqipëria. Aktualisht, pjesë e saj janë mbi 300 punonjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat