Shpallet i pafajshëm kryepunëtori që akuzohej në rastin ku humbi jetën punëtori i kompanisë “Pastrimi”

Prishtina

Shpallet i pafajshëm kryepunëtori që akuzohej në rastin ku humbi jetën punëtori i kompanisë “Pastrimi”

Më: 2 tetor 2019 Në ora: 17:16
Gjykata Themelore në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin Egzon Durmishi, lidhur me veprën penale “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës”

Në këtë rast, për rrezikim të trafikut publik, ka qenë i akuzuar edhe Agim Gashi, por pasi që ai e kishte pranuar fajësinë, më 11 shtator 2019, ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh.

Pasi që ishte shpallur aktgjykimi ndaj Gashit, ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Durmishi.

Agim Gashi akuzohej ai në mars të vitit 2017, në Prishtinë, duke drejtuar automjetin e kësaj kompanie, i cili bënë grumbullimin e mbeturinave, duke mos e vërejtur punëtorin e së njëjtës kompani, derisa ishte në lëvizje e sipër mbrapa, me pjesën e pasme, me gomën e anës së majtë e ka zënë tani të ndjerin S.A, i cili në ato momente kishte rënë nga vendi ku po qëndronte.

Ndërsa, Durmishi akuzohet se derisa ishte së bashku me ekipin e pastrimit për mbledhjen e mbeturinave, në cilësinë e kryepunëtorit, nga pakujdesia e duke vepruar në kundërshtim me rregullat teknike mbi masat për siguri në vendin e punës, ka rrezikuar jetën e punëtorëve.

Të mërkurën, gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi i rastit, Hanefi Jashari tha se pas analizimit gjykata gjen se me asnjë provë të vetme nuk dëshmohet që i akuzuari Durmishi e ka kryer një vepër të tillë penale.

Kurse, paraprakisht në fjalën përfundimtare, prokurori Blerim Igrishta deklaroi se me ekspertizën e ekspertit të komunikacionit thuhet se në ditën kritike ka pasur lëshime edhe nga ana e të akuzuarit Durmishi, në atë kohë kryepunëtorë i kompanisë.

Sipas prokurorit Igrishta, edhe deklarata e përfaqësuesit të kompanisë gjatë marrjes në pyetje nga ana e gjykatës nuk kishte dhënë sqarime konkrete lidhur me përgjegjësitë dhe obligimet e kryepunëtorit.

Ai theksoi që konsideron se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se i akuzuari Egzon Durmishi e ka kryer veprën dhe i propozon gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor.

Lidhur me pretendimet e prokurorit Igrishta, në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naser Sopjani, deklaroi se përshkrimi i veprimit në dispozitivin e aktakuzës nuk përkon me veprën penale për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, Egzon Durmishi.

Po ashtu, ai tha se dispozitivi i aktakuzës, është i paqartë dhe nuk tregon fare se me cilin veprim i akuzuari Durmishi paska vepruar në kundërshtim me rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës.

Ai deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë që këto rregulla teknike ekzistojnë dhe për të cilat përgjegjës ka qenë i akuzuari Durmishi.

Gjithashtu, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Sopjani tha se ekspertiza e komunikacionit e pranuar nga prokuroria nuk është vlerësuar drejtë.

Ai deklaroi se në rastin konkret mungon lidhja kauzale sepse fakti që është konstatuar që është lëshim i të akuzuarit Durmishi, që atë ditë kanë qenë tre punëtorë dhe kamioni ishte i destinuar për dy, personi i cili ka humbur jetën ishte në pozitën e tij dhe i njëjti e kishte dhënë sinjalin për nisjen e kamionit.

Ndryshe, në aktakuzën e ngritur më 30 nëntor 2017 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Agim Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, nga neni 378, par.9 lidhur me par.1 të KPRK-së, ndërsa Egzon Durmishi akuzohet për veprën penale “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367 par.2 lidhur me par.7 të KPRK-së, shkruan Betimi për Drejtësi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Gashi më 6 mars 2017, në Prishtinë në rrugë publike “Qëndresa”, në fshatin Matiqan, duke e drejtuar automjetin e kompanisë “Pastrimi”, i cili e bën grumbullimin e mbeturinave, të markës “Fuso”, i njëjti nga pakujdesia e në kundërshtim me nenin 52.1 të LSKR, ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari duke mos e vërejtur punëtorin e së njëjtës kompani, derisa ishte në lëvizje e sipër mbrapa, me pjesën e pasme, me gomën e anës së majtë e ka zënë tani të ndjerin S.A, i cili në ato momente kishte rënë nga vendi ku po qëndronte, i cili vend ishte i dedikuar për qëndrim gjatë mbledhjes së mbeturinave, ku si pasojë e plagëve i njëjti ka ndërruar jetë.

Ndërsa, për të akuzuarin Egzon Durmishi prokuroria pretendon se derisa ishte së bashku me ekipin e pastrimit për mbledhjen e mbeturinave, i njëjti ne cilësinë e kryepunëtorit, nga pakujdesia e duke vepruar në kundërshtim me rregullat teknike mbi masat për siguri në vendin e punës, ka rrezikuar jetën e punëtorëve.

Në aktin akuzues thuhet se deri sa punëtorët kanë mbledhur mbeturina dhe i kanë sinjalizuar shoferit të kamionit që të lëvizte mbrapa, i akuzuari ka qëndruar në kabinën e shoferit pa i ndërmarrë masat e duhura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat