Alarmuese, 25 persona humbën jetën në rrugët e Prishtinës brenda nëntë muajve

Prishtina

Alarmuese, 25 persona humbën jetën në rrugët e Prishtinës brenda nëntë muajve

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 09:24
Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm në Prishtinë brenda nëntë muajve kanë humbur jetën 25 persona në aksidente trafiku.

Vetëm për nëntë muaj, në tërë Prishtinën kanë ndodhur 4 mijë e 826 aksidente trafiku.

Sipas Policisë së Kosovës, përkatësisht drejtorisë rajonale të Prishtinës, 24 aksidente kanë qenë me fatalitet, ku për pasojë 25 persona kanë humbur jetën.

Po ashtu sipas këtij raporti nga 4 mijë e 826 aksidente, 1 mijë e 484 kanë qenë aksidente me të lënduar, ku 2 mijë e 792 persona kanë mbetur të lënduar.

Ndërkaq 3 mijë e 318 aksidente kanë qenë vetëm me dëme materiale.

Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale  dhe të personave të lënduar, Policia e Kosovës ka kërkuar nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat