Halloween në Prishtinë

Prishtina

Halloween në Prishtinë

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 19:24
Foto ilustrim

Natën e fundit të muajit tetor shumë qytetarë kanë dalë për të festuar natën e shtrigave në sheshet e Prishtinës.

Edhe pse numri i atyre që kishin dalë për të kaluar momente gazmore ishte më i vogël se sa herëve tjera, kishte edhe prej atyre që me familje kishin ardhur nga komuna të tjera.

Moti i ftohtë që po mbretëron në Prishtinë nuk e pengoi që pjesë e kësaj feste të jetë edhe Korab Jashari, i cili kishte përzgjedhur  heroin e filmit “Joker” të jetë maska e tij e preferuar.

Jashari: Kam dalë me shokët e mirë për Halloween

“Me festuar festën e Halloweenit me shokët e mi. Më përpara s’kishte shumë njerëz, por tash po mblidhen më shumë...Është një film “Joker”, kohën e fundit u kanë shumë i famshëm dhe pse jo mos me bë maskë për sot”, tha ai.

Edhe shumica e të tjerëve që kishin dalë për Halloween në sheshet e Prishtinës, kishin përzgjedhur maska të ndryshme, qëllimi i të cilave sipas qytetarit Bujar Zeneli është që ‘të frikësojë’ njerëzit.

Zeneli: Qëllimi i maskës është të frikësojë njerëzit

“Me festuar Halloweenin, mirë. Qëllimi i maskës është të frikësojë njerëzit”, tha ai.

Por, nuk ishin vetëm kryeqytetasit ata që kishin përzgjedhur të jenë pjesë e kësaj mbrëmje. Prej qytetit të Skenderajt për të festuar këtë festë kishte ardhur Edi Sejdiu, i cili tha se po i pëlqen atmosfera e krijuar në kryeqytet.

Sejdiu: Prej Skenderaj në Prishtinë për Halloween

“E kam marrë këtu e bleva, sot është nata e Halloweenit edhe kam dalë më familje. Kemi ardhur prej Skenderajt”, tha ai.

Por, për dallim prej të tjerëve kishte edhe të atillë, të cilët atmosfera e krijuar nuk iu bëri shumë përshtypje. Njëri prej tyre është Xhelal Shllaku që kishte dalë me fëmijë.

Shllaku: Halloween me atmosferë të zymtë

“Për mua kurrgjë, por vetëm puna e djalit...Tash unë e shoh të zymtë atmosferën. Vetë Halloweeni e ka zymtë”, u shpreh ai.

Halloween është nata mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit që festohet kryesisht në SHBA, por në dekadën e fundit ka filluar të përhapet me të madhe edhe në Kosovë.

Gjatë kësaj feste njerëzit vishen me kostume të ndryshme, shpesh herë të frikshme, dhe shkojnë që të vizitojnë njëri-tjetrin nëpër shtëpi, ose mblidhen së bashku për të festuar.

Ekzistojnë versione të ndryshme të traditave të Halloweenit, por origjinën e vërtetë e gjejmë në festivalin antik të keltëve të njohur si Samhain. Në Skocinë e vjetër mendohej se ishte pikërisht nata e 31 tetorit, kur nuk kishte më kufi mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve.

Sipas legjendës, shpirtrat e vdekur gjatë atij viti mblidheshin së bashku për t’u përzier me botën e të gjallëve dhe më pas për të nisur rrugën drejt një bote tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat