Komuna e Prizrenit ndihmon të prekurit nga tërmetit me ushqime dhe veshmbathje

Prishtina

Komuna e Prizrenit ndihmon të prekurit nga tërmetit me ushqime dhe veshmbathje

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 13:29
Pamje nga takimi

Pas dridhjeve të shkaktuara nga tërmeti me epiqendër në Shqipëri, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot ka mbajtur një takim emergjent dhe konsultues me ekipet e sigurisë, emergjencës dhe drejtoritë përkatëse, për të vlerësuar situatën aktuale dhe për të marrë hapat e mëtutjeshme për veprim.

Fillimisht nga ana e Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë dhe Spitalit Rajonal, u raportua se në Prizren dhe rajon nuk ka pasur dëme të raportuar nga ky tërmet, derisa ekipet e tyre kanë në dispozicion kapacitete të mjaftueshme për t'i menaxhuar rastet emergjente.

Me këtë rast u formua edhe ekipi me plan emergjent, i cili do të qëndrojë në gatishmëri dhe do të jetë në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha organet përgjegjëse për të intervenuar në raste emergjente.

Ndërkaq, duke i vlerësuar dëmet që janë shkaktuar në Shqipëri, nga ana e kryetarit Haskukaj u dha vendim që një autoambulancë e pajisur me mjete të ndihmës së shpejtë dhe ekip mjekësor të nisen drejt zonës së prekur nga tërmeti në Shqipëri, kurse në gatishmëri do të jetë edhe automjeti i zjarrfikësve.

Njëkohësisht nga ana e Komunës së Prizrenit u nda edhe një buxhet i konsiderueshëm për t'i ofruar ndihmë personave të prekur me anë të pakove ushqimore dhe veshmbathjeve.

Në anën tjetër, Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mori përsipër që të bëjë organizimin e grumbullimit të ndihmave nga qytetarët për t'i dërguar ato më pas në Shqipëri, derisa nga Drejtoria Komunale e Arsimit u udhëzuan të gjithë drejtorët e shkollave, që të jenë në gjendje gatishmërie dhe të japin udhëzime te nxënësit se si të veprohet në raste të tilla emergjente kur ndodhin tërmetet.

Në takim gjithashtu u bë i ditur se alarmi i sigurisë në qytet është në funksion dhe ai mund të aktivizohet në raste kur mund të ndodhë tërmeti me shkallë të lartë, në mënyrë që të njoftohen qytetarët për t'i liruar shtëpitë dhe banesat e tyre duke dalë në hapësirat e jashtme për të qenë më të sigurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat