Kjo është hapësira te Liqeni i Badovcit ku planifikohet të bëhen ndërtime - Bota Sot
Kjo është hapësira te Liqeni i Badovcit ku planifikohet të bëhen ndërtime

Prishtina

Kjo është hapësira te Liqeni i Badovcit ku planifikohet të bëhen ndërtime

Më: 11 janar 2020 Në ora: 15:43
Badovc

Një grup prej mijëra qytetarëve, të Prishtinës dhe qyteteve tjera kanë hapur një grup në Facebook, përmes së cilës po sensibiliziojnë opinionin dhe institucionet që të mos lejojnë ndërtimin e një lagjeje buzë Liqenit të Badovcit. Kjo lagje është planifikuar nga kompania KAWA, 4M Group dhe e kanë titilluar “Lakeside Gardens”.

Ky projekt ka ngjallë shumë reagime nga mijëra qytetarë dhe kompanitë duket se janë të vendosura të kryejnë këtë projekt.

Në faqen “Grupi për mbrojtën e Liqenit të Badovcit” po postohen fotografi dhe artikuj mbi rëndësinë e ruajtjes së kësaj zone nga ndërtimet.

Image

Në njerën prej këtyre fotografive jepet një pasqyrë me e qartë se ku planifikohet të ndërtohet kjo lagje.

Qytetarët që po e kundërshtojnë, por edhe institucione të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile, kanë shprehur shqetësimin se përvec prishjes së natyrës nga betoni, rrezikohet shumë edhe uji i pijes.

Kompania ‘KAWA’ dhe ‘4MGroup’ thonë se në asnjë rrethanë nuk do të ketë helmim të ujit dhe se do të ketë mbjellje të drunjve në gjithë hapësirën. Ata këtë sqarim e kanë postuar edhe në faqen e hapur në mbrojtje të Liqenit, por kjo nuk ka bindur kundërshtuesit.

Një pelqim paraprak për ndërtimin e kësaj lagjeje me 17 vila luksoze është dhënë nga Ministria e Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor. Tash pritet që Komuna e Prishtinës të thotë fjalën e vetë.

Image

Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk ka informata ende për projektin në fjalë, ndonëse zotohet se do të veprojë në pajtueshmëri me ligjin.

“Dëshirojë të sigurojë të gjithë ata që janë shqetësuar nga ky lajm, se do të ketë zbatim të plotë të ligjit sa i përket ndërtimeve në zonat pranë akumulacioneve të ujit. Në informatat e para që i kam, investitori duhet t’i nënshtrohet edhe pëlqimit mjedisor dhe tek pastaj të definohet nëse i plotëson kushtet për mbrojtje të mjedisit dhe ujërave. Republika e Kosovës ka ligje mjaft të avancuara për ujërat dhe kërkohet vetëm zbatimi i plotë i tyre nga të gjitha palët e përfshira”, ka shkruar ai.

Ky projekt duket se nuk ka leje ndërtimore dhe as që ka aplikuar për një të tillë në Urbanizmin e Komunës së Prishtinës.

“Për leje nuk kanë aplikuar dhe për të marrë një të tillë, duhet pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka thënë kryetari Shpend Ahmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat