Personat nën ndikimin e drogës dhe alkoolit s`do të lejohen në linjën e autobusit Fushë Kosovë - Prishtinë

Prishtina

Personat nën ndikimin e drogës dhe alkoolit s`do të lejohen në linjën e autobusit Fushë Kosovë - Prishtinë

Më: 31 janar 2020 Në ora: 21:43
Foto ilustrim

Qytetarët nën ndikimin e alkoolit ose të substancave narkotike, nuk do kenë mundësi që të shfrytëzojnë linjën e autobusit Fushë Kosovë – Prishtinë dhe anasjelltas.

Bashkë me ta, lëvizjen me autobusë të kësaj linje do ta kenë të kufizuar edhe qytetarët të tjerë nëse nuk respektojnë qetësinë publike duke krijuar zhurma të çfarëdo lloji në autobus, raporton KTV-ja.

Këto janë disa prej pikave kryesore që Komuna e Fushë Kosovës pritet t’i fusë në Rregulloren për transportin rrugor në territorin e kësaj komune.

Sipas Ali Topallit, zëdhënës në Komunën e Fushë Kosovës, kjo po bëhet për t’i siguruar qytetarët që udhëtojnë me këtë linjë.

Ndonëse thonë se nuk ishin njoftuar për një diskutim publik, qytetarët e kësaj komune mirëpresin hartimin e kësaj rregulloreje.

Megjithatë, Topalli thotë se dy pikat e kësaj rregulloreje që përfshijnë moslejimin e udhëtimit me autobus të personave në gjendje të dehur apo personave që përdorin substanca narkotike, mund të mos futen në versionin final të saj.

Një rregullore të ngjashme e ka miratuar edhe Komuna e Prishtinës, më 28 mars të 2013-s, ndërsa edhe pse është në fazën e parë të përpilimit, miratimi i një rregulloreje të tillë për Fushë Kosovën shihet si e nevojshme edhe nga Ndërmarrja e Trafikut Urban.

Edhe përkundër miratimit të kësaj rregulloreje, Rexhepaj thotë se do të jetë i vështirë evidentimi apo gjoba për secilin qytetar që bën shkeljen e pikave të saj.

Ndërkaq, sipas kushteve të rregullores për territorin e Fushë Kosovës, secili person përgjegjës i operatorit transportues që vepron në kundërshtim me këto rregulla, do të dënohet me gjobë prej 50 deri në 100 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat