Çerdhja “Yllkat” bëhet me objekt modern

Prishtina

Çerdhja “Yllkat” bëhet me objekt modern

Më: 5 shkurt 2020 Në ora: 14:40
Pamje nga ceremonia

Me një ceremoni solemne është hapur sot objekti i ri i çerdhes “Yllkat”, kopsht ky i cili dy vite më parë u mbyll për shkak të plasaritjeve të shumta që kishte pësuar objekti.

Ndërtimi i objektit të ri të çerdhes “Yllkat” u mundësua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Komuna e Prishtinës.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami e cila qysh dje ka marr postin e udhëheqëses së këtij dikasteri tha se nuk ka më mirë sesa ta fillojë mandatin e saj pranë fëmijëve.

Sipas saj, prioritet i arsimit do jetë ngritja e kapaciteteve të institucioneve parashkollore me qëllim që më vonë të kemi rezultate më të mira në këtë sektor.

Ministrja e sapoemëruar e Arsimit në Kosovë tha se në emër të disa reformave po mbyllen disa shkolla, por siç thotë ajo nuk duhet të lejohen që ato reforma ta lëndojnë sistemin arsimor, por duhet të shfrytëzohen në të mirë të fëmijëve.

Bajrami: Prioritet wshtë ngritja e kapaciteteve të institucioneve parashkollore

“Prioritet i qeverisë sonë ngritja e kapaciteteve të tilla, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha komunat e Kosovës. Ne sot gjithandej kemi fshatra të cilat po zbrazen dhe kemi shkolla që po mbyllen në emër të reformave dhe unë e kuptoj që nuk mund të kemi reforma për secilën lagje, për secilën shkollë, por nuk duhet të lejojmë që reformat të na vrasin dhe të na lëndojnë. Duhet të organizohemi si institucione, si shoqëri, me këshillat e prindërve dhe të gjithë ata që mund të kontribuojnë në arsim që këto reforma t’i çojmë në të mirë të fëmijëve tanë. Pse të mos i rrisim kapacitetet e institucioneve parashkollore në të gjitha komunat që më vonë të kemi rezultate shumë më të mira”, tha Bajrami.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti  tha se kjo është çerdhja më e madhe në gjithë Republikën e Kosovës, me gjithsej 2 mijë metra katror me gjithsej 243 fëmijë.

Ahmeti: “Yllkat” është çerdhja më e madhe në Kosovë

“Kjo është sot çerdhja më e madhe në Republikën e Kosovës, gjithsej sot janë të regjistruar 243 fëmijë  me 2 mijë metra katror, çerdhe moderne do jetë edhe model edhe mënyrë se si duhet t’i bëjmë çerdhet jo vetëm në Prishtinë, por edhe në qendrat tjera”, theksoi ai.

Ndërsa, drejtoresha e çerdhes “Yllkat”, Rifadie Sopi falënderoi të gjithë për mbështetjen për ndërtimin e çerdhes së re, ndërsa shtoi se ky objekt është mjaftë modern dhe i plotëson të gjitha kushtet.

Sopi: Kopshti tani ofron kushtet bashkëkohore

 

“Ky objekt tashmë plotëson kushtet më bashkëkohore të cilat do i shfrytëzojnë vogëlushët tanë me edukatoret dhe stafin punonjës, të cilat i kushtojnë edukim e kujdes të veçantë  dhe do jemi çdo herë mirënjohës dhe falënderues Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kryetarit të nderuar, Shpend Ahmeti”, tha ajo.

Për të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e objektit të ri të çerdhes  “Yllkat” u ndan mirënjohje nga udhëheqësia e kopshtit.

Kujtojmë që kopshti “Yllkat” u mbyll në vitin 2018 për shkak sa janë vërejtur disa plasaritje në objekt i cili është ndërtuar në vitin 1984.

Rrënimi i saj solli pakënaqësi të shumta tek prindërit, fëmijët e të cilëve u shpërndan nëpër çerdhet të tjera në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat