Shqetësime për trajtimin e çështjes së banimit social

Prishtina

Shqetësime për trajtimin e çështjes së banimit social

Më: 7 shkurt 2020 Në ora: 10:22
Prishtina

Organizata “Developing Together” shprehu shqetësimin lidhur me nivelin e ultë të trajtimit të çështjes së banimit social nga institucionet qendrore dhe lokale në Kosovë ku për pasojë, me mijëra familje në nevojë për banim social po mbesin të pa ndihmuara.

Organizata thotë se e drejta për banim dinjitoz është një e drejtë themelore njerëzore e mbrojtur nga shumë konventa ndërkombëtare e që edhe Kosova e njeh këtë të drejtë dhe ka të përpiluar legjislacion adekuat.

“Sipas këtij ligji, komunat e Kosovës autorizohen që t’i ndihmojnë me banim adekuat familjet ose individët në gjendje të rëndë sociale të cilët nuk kanë mundësi ekonomike t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave. Në ligj kërkohet që komunat të përpilojnë programe trevjeçare për banim me çka do të planifikohej numri i familjeve për t’u ndihmuar, buxheti i nevojshëm si dhe mënyra e ndihmës”, thuhet në komunikatë.

Sipas informatave të mbledhura nga DT, vetëm 18 nga 38 komuna i kanë të përpiluara këto programe. Sipas tyre, shqetësues mbetet fakti se edhe komunat që i kanë të përpiluara këto programe, po ballafaqohen me probleme në implementimin e tyre.

“Si pasojë e mos përfitimit nga ky program i banimit, shumë qytetarë do të vazhdojnë të jetojnë në objekte të rrezikshme ose të papërshtatshme për banim.

Sipas ligjit, komunave u kërkohet që të raportojnë në MMPH çdo vit deri më 31 mars. Numri i komunave që raportojnë është i vogël dhe si pasojë MMPH nuk ka arritur kurrë që të përpilojë Strategjinë për Banim të kërkuar me ligj. Është e dhimbshme që edhe 10 vite pas miratimit të ligjit ende nuk dihet numri i saktë i familjeve në nevojë për banim social e që do të mundësonte planifikim adekuat afatgjatë. MMPH duket të jetë e paaftë për të përmirësuar këtë gjendje pikë së pari për shkak të komunikimit të dobët me komunat e Kosovës”, vijon komunikata.

“Developing Together” thotë se është duke punuar në fushën e banimit e duke bashkëpunuar me shumë komuna si Drenasi, Gjakova, Prizreni, Suhareka por edhe komuna të tjera. Sipas DT, këto komuna i kanë të përpiluara programet trevjeçare për banim dhe po bashkëpunojnë me sukses në implementimin e tyre.

Sipas organizatës, Prishtina është një nga komunat që nuk po tregon përmirësim në këtë fushë.

“Prishtina duhet të jetë shembull për komunat tjera për shumë fusha, përfshirë banimin social. Mbetet e paqartë se si operon Komuna e Prishtinës por edhe të gjitha komunat tjera në fushën e banimit social pa program trevjeçar për banim të kërkuar me ligj?! Për më tepër, nga komuna e Prishtinës pritet që të jetë shumë më kreative në fushën e banimit. Në vitet e fundit në Prishtinë ka ekspanzion të ndërtimit të banesave kolektive duke u ndërtuar me dhjetëra mijëra banesa. Komuna e Prishtinës duhet të jetë hisedarë duke përfituar banesa të cilat do të bëheshin pronë komunale. Kjo do të mund të bëhej me partneritet publiko privat apo duke marrë banesa në vend të taksave”, thuhet në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat