​Në Prishtinë shtohet numri i familjeve që kërkojnë ndihmë për gjëra ushqimore

Prishtina

​Në Prishtinë shtohet numri i familjeve që kërkojnë ndihmë për gjëra ushqimore

Më: 21 prill 2020 Në ora: 16:56
Shpend Ahmeti

Kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se dita ditës po rritet numri i familjeve që kërkojnë ndihmë për gjërat elementare ushqimore.

Ahmeti thotë se nëse nuk do të ketë shtim të rasteve në Prishtinë, atëherë do të hapet mundësia që kryeqyteti të hiqet nga zona karantinë, por të vlejnë vetëm rregullat tjera.

Ahmeti: Numri i familjeve që po kërkojnë ndihmë me pako ushqimore po rritet

“Prishtina në kushte normale, po e them normale para virusit, i ka pasur 1 mijë e 600 familje në asistencë sociale. Ditëve të fundit nuk po them që kanë nevojë për asistencë sociale, por ditëve të fundit njerëzit që kanë thirr për t’iu dal në ndihmë me pako ushqimore, po flasim për pako ushqimore bazike, miell, vaj, sheqer, krip është shtuar diku për 500-600 dhe dita ditës po shtohen. Në qoftë se vazhdojnë këto masa restriktive për një periudhë më të gjatë është e pashmangshme që numri do të rritet”, tha ai.

I pari i Prishtinës thotë se situatën me COVID-19, e kanë nën kontroll dhe se nuk ka shtim të numrit të të prekurve me këtë virus.

Ai thotë se nëse vazhdohet edhe më tutje të mos ketë shtim të numrit të rasteve mund të propozohet që Prishtina të hiqet nga karantina.

Ahmeti: Mendoj se situatën e kemi nën kontroll

“Mendoj se edhe më tutje situatën e kemi nën kontroll. Do të thotë para dy ditëve ishin zero raste, pardje ishin dy raste dhe pastaj dje kane qenë familjarët e atyre dy rasteve që kanë qenë gjashtë. Pra, pak a shumë po e dimë ku është, çka po ndodh dhe sa po zhvillohet e përhapet virusi. Kështu që, i presim edhe këto dy tre ditët në vijim pastaj unë besoj që në koordinim me ministrin Vitia dhe do t’i japim rekomandimet tona së paku rreth karantinës, e cila është hyrja dhe dalja e Prishtinës. Ndërsa, masat tjera mbesin në vend dhe po e them që qytetarët po e mbajnë mirë, po dalin në oraret e caktuara sipas vendimit që ka qenë”, thotë Ahmeti.

Sa i përket rasteve që janë të konfirmuara me COVID-19 dhe janë në vetizolim, Ahmeti potencon se janë duke iu qëndruar pranë dhe duke iu siguruar të gjitha gjërat e nevojshme.

Ahmeti: Këta që janë të infektuar ne i thërrasim në telefon gati se në baza ditore

“Këta që janë të infektuar ne i thërrasim në telefon gati se në baza ditore, posaçërisht disa raste të cilat i dimë se janë të izoluara më shumë dhe i pyesim se a kanë nevojë për diçka. Pra, ne kujdesemi sepse i kemi pasur disa raste edhe me fëmijë të vegjël në shtëpi, kemi pasur raste kur kemi dërguar edhe barna dhe gjësende të tjera që kanë nevojë. Në qoftë se nuk i kemi thirr dhe kanë nevojë për diçka atëherë i referojmë dhe i lusim që të kontaktojnë këta numra të cilët janë 038245666 ose të dërgojnë email në [email protected] dhe patjetër se do të kujdesemi. Tashmë njëherë e kemi fokusin në tre ditët në vijim në dërgimin e pakove ushqimore tek më shumë se 2 mijë familje. Javën e kaluar në Kuvend Komunal i kemi votuar mjetet, por tashmë ka procedura të cilat besoj që së sot përfundojnë dhe do të jemi të gatshëm që brenda dy ditëve të fillojmë në një mënyrë më të shpejt shpërndarjen e pakove ushqimore”, thotë kryetari Ahmeti.

Deri më tani në vendin tonë janë 598 raste me COVID-19, ku 15 persona kanë vdekur dhe 123 persona janë shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat