KMDLNJ vizitoi Qendrën e paraburgimit në Hajvali, kërkohet veshmbathje për të privuarit nga liria

Prishtina

KMDLNJ vizitoi Qendrën e paraburgimit në Hajvali, kërkohet veshmbathje për të privuarit nga liria

Më: 22 prill 2020 Në ora: 12:50
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka vizituar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ndërsa personat e privuar nga liria theksuan se pas ndalimit të vizitave familjare ata po përballen me mungesë të furnizimit me veshmbathje.

KMDLNJ njofton se ata kërkojnë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës apo Kryqi i Kuq i Kosovës ose ndonjë organizatë bamirëse të sigurojnë veshmbathje për ta.

“Nga të burgosurit u njoftuam se ata kanë vendosur që të pezullojnë grevën e urisë me kërkesë institucioneve, deri më 4 maj 2020 në pritje se autoritetet vendimmarrëse do t’i shqyrtojnë kërkesat e tyre për lirim të menjëhershëm apo pezullim të dënimit për aq kohë sa zgjatë pandemia. Nëse pas kësaj date institucionet nuk marrin asnjë veprim konkret për plotësimin e kërkesave të tyre e që i plotësojnë kushtet ata janë duke planifikuar që të shkojnë përtej, duke organizuar protesta nga familjet e tyre dhe në grevë urie do të përfshihen të gjithë të privuarit nga liria”, thuhet në njoftim.

KMDLNj u bënë thirrje të gjitha organizatave bamirëse dhe të tjera që kanë mundësi të ndihmojnë me veshmbathje personat në Qendrën e paraburgimit në Hajvali.

“Edhe një herë u ritheksua ankesa e të privuarve, të cilët kanë kaluar 2/3 e dënimit, janë shfrytëzues të vikendeve dhe beneficioneve tjera dhe nuk kanë marrë përgjigje pozitive apo nuk kanë marrë fare përgjigje nga Paneli për Lirim me Kusht. Në mesin e të privuarve nga liria kishte një numër të konsiderueshëm me disa muaj burg të mbetur dhe, sipas KMDLNj –së ata mund të lirohen pa e rrezikuar aspak sigurinë”, thuhet më tej.

Një problem tjetër që e theksuan të privuarit nga liria e që kanë nevojë për intervenim shëndetësor jashtë Qendrës së Paraburgimit është se nëse ata do të dërgohen për trajtim në QKUK apo Spital Rajonal, me t’u kthyer në Qendër të Paraburgimit do të karantinizohen për 14 ditë.

Gjithashtu, të privuarit paraqitën kërkesën dhe shpresën për falje nga Presidenti në mungesë te Ligjit për Amnisti.

“Fatmirësisht të gjithë të privuarit në këtë qendër janë në gjendje të mirë dhe nuk ka asnjë rast të infektuar me virus COVID -19. Drejtuesit e Qendrës së Paraburgimit por edhe të privuarit nga liria u njoftuan për mundësinë e përfitimit të asistencës humanitare me mjete të siguruara nga Rrjeti i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur nga Zyra Qendrore në Nju Jork dhe dega për Kosovë – Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur ( KFOS ). Asistenca humanitare zgjatë tre dhe kapë shumën nga 170 euro për muaj”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat