​Ende nuk ka vendim për ta hequr Prishtinën nga karantina

Prishtina

​Ende nuk ka vendim për ta hequr Prishtinën nga karantina

Më: 2 maj 2020 Në ora: 14:13
Prishtinë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, është në bisedime të vazhdueshme me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe ditëve në vijim pritet të lehtësohen masat dhe Prishtina të hiqet nga karantina. E të gjitha këto vendime do të merren në bashkëpunim me IKSHP-në

Kështu bëri të ditur Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, nëpërmjet një telefonate për KosovaPress. Ai theksoi se sa po të merret një vendim do të bëhet i ditur për media dhe se qytetarët do të njoftohen me kohë.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë se largimi i Prishtinës nga karantina është vendim i duhur, derisa theksoi se futja e kryeqytetit në karantinë ka qenë hap i gabuar.

Shala: Futja e Prishtinës në karantinë ka qenë hap i gabuar

“Sa i përket çështjes se a duhet të vazhdoj karantinimi i Prishtinës mbas 4 majit, unë mendoj që Ministria përkatëse ka gabuar që në start me futjen e gjithë Prishtinës në karantinë sepse edhe ligji për sëmundjet infektive e përcakton që nuk mund të karantinohet një komunë e tërë por duhet të karantinohet vetëm një lagje apo individi i cili është i atakuar apo infektuar nga ndonjë virus, apo sëmundje ngjitëse….Përcaktimi i orarit të caktuar për lëvizje e ngrit dyndjen e qytetarëve në vende të caktuara dhe kjo në mëdyshje më len të kuptoj që po ngritët modeli që njerëzit të infektohen”, thotë Shala.

Për rënien ekonomike dhe ndikimin e COVID-19 në shumë sektor, ai thotë se këto vinë si pasojë e mos shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme që në start të përhapjes së pandemisë.

Shala: Është dashur të shpallet gjendje e jashtëzakonshme

“Që në start para se të filloj karantinimi nga ana e qeverisë është dashur të shpallet gjendje e jashtëzakonshme, për një interval të caktuar kohorë komfor kushtetutës, në një interval 30 ditorë dhe pas asaj karantinimi të vazhdoj në pikat kufitare dhe çdo qytetar që hy në Kosovë të karantinohet për 14 ditë dhe kështu ne kishim me pas një lëvizje të lirë brenda Kosovës dhe nuk do të kishim me ataku as aspektin ekonomikë, me të cilin Kosova po përballet tash e tutje”, deklaroi Shala.

Eksperti i sigurisë thotë se gjatë kësaj kohe karantinimi të Prishtinës, Policia e Kosovës ka kryer të gjitha obligimet e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat