61 të infektuar me COVID-19 në Prishtinë që nga 2 qershori - Bota Sot
61 të infektuar me COVID-19 në Prishtinë që nga 2 qershori

Prishtina

61 të infektuar me COVID-19 në Prishtinë që nga 2 qershori

Më: 13 qershor 2020 Në ora: 11:14
Ilustrim

Që nga 1 qershori kur ka filluar faza e tretë e lehtësimit të masave, numri i rasteve të infektimeve me koronavirus ka shënuar rritje.

E ndër komunat me më së shumti të infektuar është ajo e Prishtinës. Për 12 ditë në kryeqytet janë konfirmuar 61 persona me COVID-19.

Shumica prej tyre, siç është njoftuar edhe nga kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, janë raste të kontaktit.

Me 7 qershor, pasi ishin konfirmuar 10 raste, Ahmeti pati marrë vendim për mbylljen e tri çerdheve. Dy prej tyre për shkak se njëri nga të infektuarit i kishte dërguar dy fëmijët e tij, e tjetra për shkak se burri i një edukatoreje ishte konfirmuar me COVID-19. Tri ditë më pas, më 10 qershor ka nisur punën çerdhja Xixëllonjat, për shkak se edukatorja ishte konfirmuar negative. Pastaj më 10 qershor kur u konfirmuan 13 raste, Ahmeti bëri të ditur se fëmijët e çerdheve Lulevera dhe Buzëqeshja kanë dalë negativë për koronavirus, derisa ka bërë të ditur se pas dezinfektimit të dyja do të rihapen.

Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi, ka thënë se pas relaksimit të masave, është shtuar numri i rasteve në kryeqytet, porse sipas tij, situata është e menaxhueshme.

I ftuar në Interaktiv ai ka thënë se rastet me COVID-19 janë të shpërndara përafërsisht në 10 lagje, e në mesin e tyre edhe në lagjen Ulpiana, Kalabria, Kodrën e Diellit, Emshirin, Kroin e Njelmët, Arbëria, Kolovica, Sofalia.

Sipas ditëve që nga 1 qershori rastet janë si vijon: 1 qershor nuk kishte raste, 2 qershor ishin konfirmuar 7 raste në Prishtinë, ndonëse IKSHPK-ja nuk kishte njoftuar për vendin, Ahmeti kishte bërë të ditur përmes një postimi në Facebook. Më 4 qershor ishte një rast, 5 qershor tri raste, 6 qershor nuk ishte konfirmuar asnjë i infektuar, 7 qershor 10 raste, 8 qershor katër raste, 9 qershor tri raste, 10 qershor 13 raste, 11 qershor nëntë raste dhe 12 qershor 11 raste.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat