Prishtina kërkon të ndërpritet gjurmimi i kontakteve: Çdo klinike private t’i jepet e drejta ta bëjë testin

Prishtina

Prishtina kërkon të ndërpritet gjurmimi i kontakteve: Çdo klinike private t’i jepet e drejta ta bëjë testin

Më: 24 qershor 2020 Në ora: 13:47
Foto ilustrim

Më 2 qershor, ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vendosi fazën e tretë dhe të fundit, të lehtësimit të masave, për shkak të pandemisë COVID-19, ndërsa më 8 qershor, ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, largoi në tërësi, kufizimet e lëvizjes së qytetarëve.

Me lehtësimin e pastaj largimin e masave , është vërejtur fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve, duke bërë kështu që intensiteti i rasteve pozitive në javën e fundit, të shtohet dukshëm.

Me këtë rast, Komuna e Prishtinës po vlerëson se duhet të ndryshohet strategjia e çasjes ndaj pandemisë, ku -rekomandojnë 8 pika për luftimin e kësaj të fundit.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për media  thotë se gjurmimi i kontakteve duhet të ndërpritet, derisa kërkon që tash e tutje të bëhen testime serologjike.

Ai shtoi, se vetëm nëpërmjet kësaj forme, do të bëhej e ditur se në cilën masë ka kaluar Covid-19, apo cila është ajo përqindje e imunitetit kolektiv, e që siç thotë ai duhet të krijohet para fillimit të fazës së dytë.

“Në pikën 3 pikat kyçe parashihet që këto hulumtime epidemiologjike, testimi i kontaktit të kontakteve të ndërpriten, vetëm personat që kanë simptoma të testohen. E dyta të lejohen testimet serologjike, testim i cili jep 2 rezultate, jeni të infektuar ose jo nga Covid-19 dhe testi i dytë i cili tregon, se ndoshta ju keni qenë A simptomatik, ndoshta ju veç e keni kaluar COVID-19…Nuk mund të aplikohet vetëm në Klinikën Infektive, por secilës komunë dhe klinikë private t’i jepet e drejta të bëjë këtë test…Në këtë formë ndoshta e kishim testuar të gjithë popullatën se në cilën masë e kemi tejkaluar ose cila është ajo përqindje e imunitetit kolektiv, e cila duhet të krijohet para fillimit të fazës së dytë”, thotë ai.

Sa i përket rritjes së numrit të personave të infektuar, ai thotë se kjo ka qenë e pritur, pasi qytetarët nuk janë duke i respektuar rekomandimet.

Ndërsa, bëri të ditur, se kryeqyteti është i përgatitur edhe për eskalim më të madh të situatës.

“Eskalimi i numrit të të infektuarve është pritur, për arsye të mos respektimit të masave parandaluese nga ana e qytetarëve. Ne jemi të përgatitur edhe për eskalim të situatës edhe më të madhe, kur them eskalim nënkupton që, komuna e Prishtinës është e përgatitur që të strehoj afër 100 persona. 100 shtretër jemi në gjendje me i përgatitë në qendrat e mjekësisë familjare, njëra në kodrën e trimave dhe tjetra në Emshir. Kemi përgatitur edhe 14 shtëpiza në Gërmi, me rreth 150 shtretër”, thotë Nushi.

Ndër vendet ku vërehet frekuentim i madh i qytetarëve, janë kafiterit, anipse këto të fundit janë hapur me kusht që të respektojnë rekomandimet. Nushi thotë se një gjë e tillë nuk po ndodhë.

Derisa vlerëson, se inspektorët nuk kanë kapacitetin e mjaftueshëm të kontrollojnë çdo lokal.

“Qoftë inspektorët e komunës së Prishtinës, qoftë Policia e Kosovës, çoftë inspektorët sanitarë në kuadër të AVUK, ose në nivel qeveritarë, nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm që me vizitua secilën kafiteri, restorant apo hotel. Prandaj mos respektimi i këtyre masave, vetëm sa e përkeqëson situatën. Tash duhet të kemi frikë mos po ndodhë infektimi i personelit shëndetësor dhe atëherë mund të ballafaqohemi me numër jashtëzakonisht të madh”, deklaroi ai.

Sipas rezultateve të fundit nga IKSHPK, kryeqyteti regjistron edhe 13 raste të reja me Covid-19./GS/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat