Inspeksioni i Prishtinës, ua merr të dhënat 223 qytetarëve e 5 biznese për mosrespektim masash

Prishtina

Inspeksioni i Prishtinës, ua merr të dhënat 223 qytetarëve e 5 biznese për mosrespektim masash

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 13:26
Adonis Tahiri

Nga fillimi i kësaj jave kanë hyrë në fuqi masat e reja, për të parandaluar numrin e rasteve të prekura nga virusi corona në Kosovë. Mbyllja e lokaleve dhe ndalimi i qarkullimit nga ora 21:00 deri në 05:00, për disa komuna tashmë po aplikohet. Një ndër ta është edhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, e cili vazhdon të prijë me numrin e rasteve të të prekurve nga Covidi-19.

Jo të gjithë qytetarët janë  shprehur të kënaqur me këto masa të reja dhe me këtë “mbyllje”, të pjesshme.

Mirëpo megjithëkëtë institucionet që janë të thirrura për ta parë  nga afër dhe për të dhënë vërejtje aty ku nuk ka zbatim të këtyre masave, janë të vendosura në kryerjen e detyrave të tyre.

Drejtori i Inspeksionit i Prishtinës, Adonis Tahiri, për media, ka treguar se inspeksioni çdo mbrëmje dhe gjatë ditës del në terren për të parë zbatueshmerinë dhe për të dhënë vërejtjet e tyre në bazë të ligjit për të gjitha ata që nuk përfillin masat e reja.

Tahiri ka treguar se tashmë ka nisur edhe të shqiptohen gjoba në bazë të Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, duke thënë se ato variojnë nga 500 deri në 8 mijë euro dhe se ato dallojnë varësisht shkeljes që bëhet dhe klasifikimit si person fizik apo person juridik.

“Gjatë kësaj jave (deri dje) janë marrë shënimet për procedura të mëtejshme për 223 qytetarë dhe 5 biznese, gjatë inspektimeve në terren bashkë me Policinë e Kosovës”, tha Tahiri.

Por se ku përfundojnë këto raste dhe si trajtohen këto gjoba, tregon Tahiri.

“Secili rast procedohet me aktvendim të gjobës në gjykatë, përmes inspektorëve sanitarë”, tha Tahiri.

Ai theksoi se gjatë ditës së sotme situata është dukshëm më e mirë dhe se qytetarët  kanë filluar t’i respektojnë masat.

Ndryshe në mbarë vendin numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më 14 korrik është gjithsej 2.462 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.663.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat