Gjykata merr vendim për prishtinasin që shtiu me kallashnikov nga ballkoni në një aheng familjar

Prishtina

Gjykata merr vendim për prishtinasin që shtiu me kallashnikov nga ballkoni në një aheng familjar

Më: 28 gusht 2020 Në ora: 19:25
Foto ilustrim

500 euro gjobë dhe gjashtë muaj burgim me kusht janë shqiptuar ndaj të akuzuarit Ardi Pajaziti, i cili pasi ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Shemsije Asllani, Pajaziti pranoi fajësinë veprat penale me të cilat ngarkohet, ndërsa shtoi se pendohet për veprimin e bërë dhe se nuk ka pasur asnjë qëllim ta dëmtoj dikë.

Pas pranimit të fajësisë, gjyqtarja Violeta Namani e shpalli aktgjykimin sipas së cilit, Pajaziti për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është dënuar me 500 euro gjobë, ndërsa për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, ai u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht.

Ai u ngarkua edhe me pagimin e shpenzimeve të procedurës penale, ndërsa në shpalljen e aktgjykimit, Namani, nuk veproi sipas dispozitave të paragrafit 3.2, nenit 39, të Ligjit nr. 05/l -036 për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që obligon gjyqtarët që gjykojnë në Departamentin e Krimeve të Rënda, që ndaj të akuzuarve që shpallën fajtor, të shqiptohet edhe taksa prej 50 eurove që destinohet për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 9 qershorit 2020, pretendohet se Pajaziti, më 25 janar 2017, në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, në një aheng familjar, në gjendje të dehur, kishte dalë në ballkon dhe në prezencë të familjarëve të tij, me një pushkë automatike të tipit AK-47, kishte shtënë në drejtim të panjohur, duke vënë në rrezik familjarët, fqinjët dhe qytetarët e tjerë që ishin afër shtëpisë së tij.

Kjo armë, sipas aktit akuzues, më pas ishte gjetur nga policia dhe ishte sekuestruar.

Për këto veprime, Pajaziti është akuzuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat