Ahmeti: Hapjen e parkingut nëntokësor do ta bëjmë pas zgjedhjeve

Prishtina

Ahmeti: Hapjen e parkingut nëntokësor do ta bëjmë pas zgjedhjeve

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 11:50
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në prezantimin e projektit për parkingut nëntokësor ka bërë të ditur se ky projekt do të përfundojë për 18 muaj.

Ahmeti tha se vonesat për projektin e parkingut nëntokësor janë shkaktuar edhe nga vetë ai, për shkak të drunjve që gjenden në hapësirën që do të ndërtohet parkingu.

“Një pjesë të vonesës dorën në zemër e kam shkaktuar unë, për shkak të kërkesës ndaj kompanisë që çdo dru të ruhet. Edhe ato ekzistueset jemi duke u mundu t’i kursejmë, ka drunj të mëdhenj, por do të mundohemi t’i zhvendosim. Nuk mund të premtoj që çdo dru do ta ketë fatin e shpëtimit, por do të mundohemi sa më shumë t’i shpëtojmë të gjitha”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai tha se  do të zgjerohet hapësira e cila iu jep qasje veturave në parkingun nëntokësor.

“Pasi do të mbyllet sheshi nga bulevardi George Bush deri te Katedralja ku do të ketë vetëm një korsi për autobusë dhe biçikleta, do ta zgjerojmë hapësirën e parkingut dhe pjesën e gjelbërimit te Fakulteti Filologjik. Do të krijojmë një hapësirë ku mund të hyjnë makinat në parkingje, sepse 30 për qind e trafikut krijohet nga makinat që janë duke kërkuar vende të parkingut”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se është paraparë që parkingu të përfundojë pas 18 muajve, por mund të ndodhë që të përfundojë edhe më herët.

“Leja është marrë, kanë përfunduar të gjitha procedurat, i pyeta për sa e përfundoni, me kontratë e kanë për 18 muaj, por mendoj se nëse jemi më aktivë do ta përfundojmë më shpejtë, nëse nuk na shfaqen probleme tjera. Në fund të vitit të ardhshëm do të bëhet hapja, as zgjedhjeve e bëjmë hapjen e parkingut, mos të mendojnë se po bëhemi gati për ndonjë fushatë”, ka deklaruar i pari i Prishtinës.

“Pjesa do të rrethohet me mburoja, nuk do të ketë hapësirë për kalim. Do të punohet me pjesën anash, ku do të vendoset betoni duke gropuar”, tha Ahmeti.

Ahmeti bëri të ditur se familjeve të cilat jetojnë në barakat pranë hapësirës ku do të ndërtohet parkingu, do t’u bëhet zgjidhje për banim.

“Ka ndryshuar situata dhe s’janë të gjitha familjet aty, ne zotohemi se nuk do ta largojmë asnjë familje pa ia siguruar banimin, do ti vendosim në banesa me qira, sipas ligjit për banimin special. Prej kushteve shumë të këqija, familjet që jetojnë aty do të jetojnë në kushte shumë të mira. Do t’i ndryshojë pamja krejt asaj pjese, do të ketë më shumë gjelbërim”, deklaroi Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat