Niveli i ulët i oksigjenit lë Infektivën pa intensivë që nga vdekja e dyshimtë e pacientëve në korrik

Prishtina

Niveli i ulët i oksigjenit lë Infektivën pa intensivë që nga vdekja e dyshimtë e pacientëve në korrik

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 10:12
Foto Ilustrim

Në Klinikën Infektive në QKUK ende nuk ka nisur puna në njësinë intensive për shkak të nivelit të ulët të shtypjes së oksigjenit, që nga vdekja e dyshimtë e katër pacientëve në fillim të muajit korrik.

Në Infektivë ka filluar të mbushen shtretërit me pacientë nëpër reparte, por në intensivë nuk mund të vendosen pacientë për shkak se kjo njësi ende nuk është funksionalizuar.

Drejtoria e SHSKUK-së ka bërë plane për të rritur kapacitetet e oksigjenit që nga muaji korrik, por një gjë e tillë ende nuk është përfunduar. “Është hartuar projekti ideor për zgjerimin e kapaciteteve të oksigjenit në kuadër të Klinikës  Infektive dhe është në procedurë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Pacientët në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive të cilët kanë nevojë të intubohen në respiratorë, duhet të dërgohen në Mjekimin Intensiv Qendror. Në këtë njësi SHSKUK ka deklaruar se është arritur funksionalizimi me kapacitetet të plotë, pasi më herët sistemi i oksigjenit nuk ka mundur të furnizojë më shumë se 12-13 respiratorë.

Niveli i ulët i shtypjes së oksigjenit është edhe arsyeja pse nuk po funksionalizohet njësia intensive në Klinikën Infektive. Në fillim të muajit korrik në këtë klinikë kanë ndërruar jetë katër pacientë në rrethana të dyshimta. Por dyshimet kryesore janë lidhur me shtypjen e ulët të oksigjenit në respiratorë dhe CPAP.

Kapacitetet e pamjaftueshme të oksigjenit në këtë klinikë ishin konstatuar disa ditë më vonë pas një vlerësimi që kishte bërë kompania “Ego Elsa” e cila e mirëmbanë rrjetin e oksigjenit në QKUK. Mediat kane  siguruar një dokument ku ishte konstatuar se intensiva dhe repartet E dhe F të cilat furnizohen nga i njëjti gyp, nuk kanë nivel të mjaftueshëm të shtypjes.

Në dokument thuhej se sistemi i oksigjenit mund të furnizojë normalisht vetëm tre pacientë në respiratorë, ndërsa në reparte nevojiten floumetra.

Në intensivën e Infektives janë gjashtë shtretër me respiratorë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat