​Problemi me qentë endacakë mbetët shqetësues në kryeqytet

Prishtina

​Problemi me qentë endacakë mbetët shqetësues në kryeqytet

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 12:08

Qentë endacakë në kryeqytet mbesin një nga shqetësimet kryesore, marrë parasysh rrezikun e vazhdueshëm që iu kanoset qytetarëve. Përveç sterilizimit dhe kastrimit, zgjidhje e këtij problemi po del të jetë regjistrimi i qenve me pronarë. Ndërkaq, sistemimi i tyre në strehimore mbetët opsion i fundit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka kritikuar qeverinë duke thënë se çështjen e qenve endacak nuk po e marrin seriozisht.

Derisa shton se është momenti i fundit që qeveria, ministria përkatëse dhe asociacioni i komunave, të mbajnë një takim, në të cilin do të vendoset se si të zgjidhet apo të menaxhohet çështja e qenve endacak.

Shala: Kërkesa jonë është të mblidhet asociacioni i komunave, qeveria dhe ministria përkatëse që të merret një vendim

“Institucionet në përgjithësi nuk kanë arritur të menaxhojnë çështjen e qenve endacak dhe tash e kemi pa që hidhet përgjithësia nga komuna te institucionet e nivelit qendror. Fakti që ankohen që kanë mungesë të kompetencave, unë mendoj që çdo komunë ka mjete së paku të menaxhoj apo të mbajë nën kontroll situatën e qenve endacak. Ndërkaq për sistemimin e tyre në strehimore apo për përkujdesin afatgjatë, natyrisht që duhet edhe intervenimi i qeverisë dhe ministrisë përkatëse, por është një mungesë e vullnetit sepse të gjithë po merren me gjëra të tjera dhe nuk po e marrin seriozisht çështjen e qenve endacakë...Kërkesa jonë është të mblidhen asociacioni i komunave, qeveria, ministria dhe të merret një vendim të ndahen mjete shtesë për strehimore të bëjmë disa strehimore ose të transferohen në një komunë ku ka më pak ngarkesa dhe të ndahen mjete shtesë për atë komunë në mënyrë që thjesht të zvogëlohet numri i qenve”, thotë Shala për KosovaPress.

Nga Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani, thotë për KosovaPress, se problemi i qenve endacak vazhdon të jetë i pranishëm, për faktin se në Kosovë regjistrimi i qenve me pronarë nuk po fillon tash e sa vite.

Derisa për të filluar ky regjistrim, ajo pret nga Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, të aprovojë projektet e dorëzuara nga këta të fundit.

Ramadani: Zgjidhje është regjistrimi i qenve me pronarë

“Regjistrimi i qenve me pronar nuk po fillon qe sa vite, në anën tjetër mbarështuesit ata që kultivojnë qen nënstop kultivojnë pa qenë nën kontroll shtetërorë as të inspektorëve veterinar e sanitar, kështu që kjo është një problematik e madhe sepse burimi i qenve nuk po shuhet asnjëherë në mënyrë të qëndrueshme..Po shpresojmë që kur të reduktohet numri i qenve endacakë me sterilizim, kastrim dhe regjistrimi i qenve me pronarë edhe po ashtu kontrolli i mbarështuesve pastaj zvogëlohet numri në rrugë i qenve...Për t’i zbatuar projektet të cilat kanë të bëjnë me regjistrimin e qenve me mbajtës do të thotë me pronarë dhe kontrollin e mbarështuesve duhet të rregullohet edhe baza ligjore. Ne i kemi dorëzuar projektet tona te Ministria e Bujqësisë, në këtë rast ministri Mustafa i ka në dorë ato, shpresoj që i nënshkruan dhe i aprovon sa më shpejtë sepse në dorë të tij janë mijëra qytetarë të pa fajshëm që sulmohen nga qentë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, qytetarët të cilët po kanosen çdo ditë me këtë pasiguri, thonë se qeveria duhet të bëjë zgjidhje urgjente. Ata madje thonë se me ardhjen e stinës së dimrit situata bëhet akoma më e rrezikshme.

Tejet shqetësuese çështjen e qenve endacak, e sheh Tahir Rrecaj, i cili thotë se zgjidhje adekuate për këta të fundit është strehimorja.

Rrecaj: Siguria më e madhe do të ishte nëse qentë dërgohen në një strehimore

“Me siguri duhet të bëhet një zgjidhje sa më shpejt me qentë endacak sepse këta paraqesin rrezik permanent te qytetarët. Posaçërisht te të moshuarit, fëmijët, e gratë. Çdo ditë kemi raste të sulmit nga ana e qenve...Siguria më e madhe do të ishte nëse këta dërgohen në një strehimore”, thotë Rrecaj.

Qytetari Behxhet Neziri, thotë për KosovaPress, se në afërsi të fakulteteve qëndrojnë rreth 40 qen, për çka i bën apel kryetarit Ahmeti që të ndërmerr masa të menjëhershme.

Neziri: Te fakulteti u bë si strehimore e qenve

“Unë çdo mëngjes këtej i shoh ka 30 qenë. Po i bëjë apel kryetarit Ahmeti, ndërmerr masa se fjalë të forta ke dhënë jo kemi me qel strehimore, këndej strehimorja u qel te fakulteti aty rrinë ka 30 qen a 40. Zoti na ruajt me kap ndonjë nxënës a fëmijë, ne nuk dimë as ku me u ankuar....Bash një rast një ditë jam kanë qitu 5 qika mos kenë me u lidh përdore kenë tu i çky qentë, nuk e di ku ia ka qit komuna. Këtu qentë të mbysin. Qe këqyre në biçikletë ka i turret njeriut (pamje)”, thotë ai.

Qytetari tjetër Izet Zhuja, derisa tregon se si ishte sulmuar nga qentë endacakë. Ai thotë se ky problem po vazhdon të jetë më shqetësuesi në kryeqytet.

Zhuja: Unë e kam përjetuar një sulm të tillë para shumë vjetësh

“Unë e kam përjetuar një sulm të tillë para shumë vjetësh e di sa e rrezikshme është, prandaj shteti duhet urgjentisht me bo zgjidhje ose me i siguru vendin qenve ose me vepru si veprojnë shtetet tjera, përndryshe fëmijët e gratë janë shumë në rrezik”, thotë ai.

Të njëjtin mendim ndau edhe qytetari Avdi Gjonbalaj.

Gjonbalaj: Duhet me bo kastrimin e tyre

“Po tanat duhet me qenë në kontroll edhe qentë edhe krijesat, edhe qyteti duhet me u kontrollu në të gjitha aspektet, nuk është vetëm me pre me gërshërë duhet me bo kastrimin e tyre”, thotë ai.

KosovaPress ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga Komuna e Prishtinës, por të njëjtit nuk iu kanë përgjigjur telefonatave. Derisa kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti, përmes një statusi në facebook, ka thënë se përkundër qindra mijëra eurove të shpenzuara nga komuna, kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç dhe se kërkon strategji gjithëpërfshirëse e hapa emergjent.

Rasti i fundit i sulmit nga qentë endacak ishte i 29 vjeçares nga Prishtina, Besnike Beqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat