Nënkryetari i Prishtinës kërkon që kryeqyteti të jetë zonë e posaçme: Forma e kalkulimit, është e gabuar

Prishtina

Nënkryetari i Prishtinës kërkon që kryeqyteti të jetë zonë e posaçme: Forma e kalkulimit, është e gabuar

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 18:36
Muhedin Nushi

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, ka shprehur pakënaqësitë e kësaj komune, lidhur me masat e reja që parashihet të hyjnë në fuqi që nga e premtja në kuadër të mbrojtjes nga koronavirusi.

Sipas tij nuk ka pasur konsultime paraprake lidhur me masat të cilat ishin vendosur vikendin që e lëmë pas.

Megjithatë ai shtoi në Info Magazine se pakënaqësia vërehet edhe në masat e sotme të propozuara ku kryeqyteti mund të jetë Zonë e Kuqe me rrezik infeksioni.

”Ne insistojmë që Prishtina të mos jetë e inkorporuar në këto tri zona, por të jetë zonë e posaçme”.

”Sepse këtu zhvillohet e tërë jeta praktikisht e tërë Kosovës. Mos të bazohemi vetëm në numrin e regjistrimit të popullsisë nga viti 2011. Numri aktual i banorëve rezidentë, afërsisht është 365 mijë”.

”Nuk është mirë kjo sepse nuk mund të mbyllemi”.

”Është një masë që s’mundet statistikisht të shprehet në këtë formë. Marrja e statistikave në këtë formë nënkupton që Komuna e Prishtinës do të jetë në Zonën e Kuqe sepse më së shumti testime bëhen në kryeqytet”.

”Për kryeqytetin është dashur të ketë zonë të posaçme. Forma e kalkulimit se kush hyn në zonën e kuqe e kush në të gjelbërt e kush në të verdhën, për ne është e gabuar. Sepse numri më i madh i testimeve kryhet në Komunën e Prishtinës”.

”Për fat të keq ende nuk ka ndodhur decentralizimi i plotë që të kryhen PCR testimet. Prishtina do të hyn me këto rekomandime të sotme, ku nga e premtja hyn në Zonë të Kuqe dhe do të mbetet për një periudhë të gjatë aty si kryeqytet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat