Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve i “shpëtojnë” Covid-19, por nga stafi ka të infektuar

Prishtina

Banorët e Shtëpisë së të Moshuarve i “shpëtojnë” Covid-19, por nga stafi ka të infektuar

Më: 24 nëntor 2020 Në ora: 16:56
Shtëpia e Personave të Moshuar

Në Shtëpinë e Personave të Moshuarve në Prishtinë, asnjë banorë rezidentë aktualisht nuk është i prekur nga Covid-19. Të moshuarit e vendosur në këtë shtëpi i janë nënshtruar testit për Covid-19 më 15 tetor dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

Sërish më 15 nëntor, të njëjtit i janë nënshtruar testit për koronavirus dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Ndonëse, dy muaj më parë 51 prej tyre ishin të prekur nga ky virus, fatmirësisht kanë arritur ta kalojnë virusin.

Aktualisht në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë të vendosur janë 69 banorë rezidentë. Prej tyre 40 femra dhe 29 meshkuj.

Këtë e kanë konfirmuar për Insajderin nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Nga datë 15 tetor 2020 nuk kemi asnjë të moshuar me COVID-19, kjo është vërtetuar me testimin bërë në këtë datë, por është bërë ri-testimi sërish më 15 nëntor 2020 dhe rezultati ka qenë i njëjtë, asnjë i moshuar i infektuar”, kanë deklaruar nga Zyra për komunikim.

Të prekurit nga ky virus, kryesisht janë trajtuar brenda Shtëpisë së të Moshuarve.

“Gjatë kohës së Pandemisë rezidentët e SHPMPF-së kryesisht janë trajtuar në Institucionin tonë”, kanë thënë nga ministria.

Me ashpërsimin e masave për parandalimin e virusit, banorët po ndjejnë mungesën e familjarëve të tyre, derisa kërkesa e tyre më e shpeshtë gjatë kësaj kohe është që të lëvizin jashtë Institucionit.

“Gjatë periudhës së Pandemisë për shkaqe sigurie për mbrojtje nga COVID-19 nuk ka qenë e mundur të lejohen vizitat nga jashtë, me përjashtim të vizitave zyrtare dhe furnitorëve, kuptohet duke i respektuar masat mbrojtëse, por në kohën kur ka pasur lirim të masave në nivel vendi vizitat janë mundësuar edhe për familjarët”, thuhet në përgjigjen e MPMS-së.

Të pyetur se si i kanë siguruar e po i sigurojnë terapitë për trajtimin e këtij virusi, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë deklaruar se kanë kontraktuar një kompani farmaceutike.

“MPMS ka të kontraktuar një kompani farmaceutike, e cila na furnizon me medikamente për nevoja të rezidentëve në Institucion, furnizimi ka qenë i mirë gjatë kësaj periudhe të Pandemisë”, kanë potencuar nga ministria.

Shtatë punëtorë të Shtëpisë së Moshuarve në Prishtinë, të prekur nga Covid-19

Përderisa asnjë i moshuar nuk është pozitivë me koronavirus, shtatë punonjës të këtij Institucioni kanë rezultuar pozitivë.

Në ri-testimin e datës 15 nëntor, 6 punëtorë kanë rezultuar pozitivë derisa një tjetër ka qenë më herët i infektuar.

“Gjithsejtë në SHPMPF janë duke punuar 53 punëtorë staf i rregullt dhe disa praktikantë të punësuar apo angazhuar për punë praktike përmes të Agjencisë së Punësimit. Me datë:12.11.2020 kur është bërë ritestimi për COVID-19 nga IKSHPK, 6-punëtorë kanë rezultuar pozitiv, plus një ka qenë paraprakisht, pra aktualisht 7-punëtorë janë të infektuar me COVID-19 dhe këta punëtorë janë në vetizolim në shtëpitë e tyre”, ka thënë nga ministria.

Pasi ka punëtorë të infektuar nga virusi edhe puna në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, po funksionon me staf të reduktuar.

Drejtoresha e këtij institucioni, Raze Aliçkaj ka konfirmuar se përveç 7 punëtorëve të prekur nga virusi, ka edhe të tjerë që janë izoluar për shkak se disa nga familjarët e tyre janë të infektuar.

“Me vet faktin që 7-punëtorë janë jashtë procesit të punës për shkak infektimit me COVID-19, kemi pas dhe kemi edhe disa punëtorë, të cilët për arsye se dikush nga familjarët ka rezultuar pozitiv , këta punëtorë janë izoluar dhe nuk kanë vazhduar punën d.m.th se ka reduktim të stafit”, ka thënë Aliçkaj për Insajderin.

Gjatë periudhës së pandemisë edhe furnizim me mjete mbrojtëse nuk ka munguar, furnizimi është bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga furnitori i caktuar nga MPMS , si dhe nga disa donacione.

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë deri tani është dezinfektuar pesë herë. Hera e fundit kur i tërë objekti është dezinfektuar ka qenë data 19 nëntor.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat