​Rritet borxhi ndaj ujësjellësit “Prishtina”, mbi një milion euro vetëm gjatë pandemisë

Prishtina

​Rritet borxhi ndaj ujësjellësit “Prishtina”, mbi një milion euro vetëm gjatë pandemisë

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 12:11
Sokol Xhafa

Pandemia COVID-19 goditi gjithë globin. E pa prekur nga kjo situatë e krijuar nga COVID-19, nuk mbeti as Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina“.

Me shfaqjen e koronavirusit, planet e menaxhimit për 2020-ën, që kishte bërë kjo ndërmarrje për reagime në situata krizash, nuk dolën ashtu siç u planifikuan.

KRU “Prishtina“, u deshtë që në planet e saj të shtoi edhe planin për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Shkak i situatës nga pandemia, KRU “Prishtina“, pësoi rënie të mëdha në inkasim.

Kreyshefi i KRU “Prishtina“, Sokol Xhafa në një intervistë për Kp, ka treguar se në muajin mars dhe prill, inkasimi në këtë kompani kishte rënë nën 50 për qind.

Veç kësaj ndaj kompanisë është rritur edhe borxhi nga konsumatorët. Vetëm këtë vit, Xhafa thotë se mbi një milion euro, është borxhi i akumuluar.

Ndërkohë që nga paslufta borxhi i akumuluar ndaj kësaj ndërmarrje kap vlerën e 45 milionë eurove.

Megjithëkëtë, Xhafa thotë se situata në këtë ndërmarrje ka qenë e menaxhueshme.

Xhafa: E kemi menaxhuar situatën me COVID-19

“Ne kemi pas edhe planet tona të menaxhimit në situata të tilla. Sigurisht nuk është menduar në ato plane që do të kemi një pandemi të tillë e që problemi do të jetë tek pjesa e stafit. Mirëpo ato plane kanë pas fokus më të madh tek pjesa e infrastrukturës, e sistemit tonë, por që kemi krijuar një paralele të tillë, kemi krijuar një shtab emergjent brenda përbrenda ndërmarrjes për t’i trajtuar dhe menaxhuar në këtë kohë. Në përgjithësi menaxhimi është i mirë, pavarësisht që një pjesë e stafit, që nga fillimi i pandemisë, në vazhdimësi kemi raste pozitive brenda ndërmarrjes por deri tani besoj që e kemi menaxhuar mirë me vet faktin që furnizim është stabil për të gjithë konsumatorët”, tregoi Xhafa për KosovaPress.

Xhafa gjatë intervistës ka treguar për goditjen që mori kjo ndërmarrje nga COVID-19 në muajin mars dhe prill dhe rënien e inkasimit.

Xhafa: Goditjen më të madhe e kemi pas në muajin mars dhe prill

“Goditjen më të madhe e kemi pas në muajin mars dhe prill, atëherë kur inkasimi ka rënë jashtëzakonisht shumë ose ka rënë nën vlerat 50 për qind. Kemi filluar të rikuperojmë. Muaji që shkoj le të themi brenda planit që kemi pas nga viti që shkoj. Tani për tani gjendja nuk është që është shumë e mirë, prapë vërehen indikacione [….] Ne po i furnizojmë gjithë me ujë dhe i lusim gjithë konsnsumatorët që të reflektojnë sepse të gjitha masat e mundshme i kemi marrë dhe gjitha masat lehtësuese jemi duke i aplikuar brenda ndërmarrjes dhe presim që të reflektojnë”, potenoci Xhafa.

Sipas tij, një pjesë të borxhit prej miliona eurove e përbejnë institucionet publike, por borxhlinjtë më të mëdhenj janë konsumatorët individual.

Xhafa: 1.5 milion euro borxhi i konsumatorëve vetëm brenda këtij viti

“Borxhi i akumuluar që nga paslufta është mbi 45 milionë euro borxh i akumuluar, një pjesë e tyre është borxh i institucioneve publike ose prona të AKP-së që kanë shkuar pastaj në privatizim, por ka edhe borxhe edhe të konsumatorëve individual, aty ku përbejnë pjesën më të madhe të borxhit të akumuluar. Kurse sa i përket pjesë së pandemisë, borxhi i akumuluar është afërsisht 1.5 milion euro vetëm brenda këtij viti, borxh të cilin konsumatorët tonë nuk kanë arritur që të paguajnë”, tregoi ai.

Për këto borxhe KRU “Prishtina“, tani ka miratuar masën e 10 përqindëshit si masë lehtësuese. Xhafa për KosovaPress, ka treguar se si do të aplikohet kjo masë.

Xhafa: Me masën e 10 përqindëshit kemi paraparë lehtësim të pagesës së borxhit

“Kjo është nga pjesa e masave lehtësuese që ndërmarrja ka ndërmarr duke e pas parasysh zhvillimin e ekonomive dhe tani gjendja e pandemisë deri në muajt e shkuar, atëherë edhe kur kemi marrë masat e para ka qenë se nëse një konsumator ka borxh të akumuluar dhe dëshiron të futet në kontratën e riprogramimit të borxhit me qëllim që borxhi të paguhet me këste, kushti ka qenë që fillimisht të bëjë pagesën e 30 për qind të borxhit të akumuluar pastaj pjesën e mbetur ta shpërndajë në 36 muaj. Tani këtë mundësi e kanë shumë më të lehtë sepse mund të futen në kontratë riprogramimi vetëm me 10 për qind pjesëmarrje në borxhin e akumuluar dhe 90 për qind pastaj ne ua riprogramojmë për 36 muaj me qëllimin që ne t’ua lehtësojmë pjesën e barrës të faturës mujore”, shpjegoi ai.

Kjo masë vlen edhe për borxhin që kanë bizneset ndaj kësaj ndërmarrje.

Xhafa: Bizneset mund të paguajnë 20 për qind të borxhit të akumuluar

“Po ashtu, edhe për bizneset le të themi sektori që është goditur më së shumti. Deri në muajin që shkoj ka qenë obligative që 50 për qind e borxhit të akumuluar të bëhet menjëherë dhe 50 për qind e borxhit të shpërndahet në 24 apo 36 muaj. Për këta ne kemi ofruar mundësi më të lehtë ku 20 për qind e borxhit të akumuluar mund ta paguajnë dhe pastaj pjesën tjetër e shpërndajnë sipas kontratës së riprogramimit. Unë lus gjithë qytetarët dhe bizneset që ta shfrytëzojnë këtë mundësi me qëllimin që mos të futemi me procedura përmbarimore, sepse ju e dini që ne kemi filluar me procedura përmbarimore dhe nuk është që është në vullnetin tonë që t’i detyrojmë përmes përmbarueseve ku do të paguajnë taksa dhe më shumë dhe borxhin duhet ta paguajnë menjëherë”, shpjegoi Xhafa.

Veç tjerash shqetësuese për këtë ndërmarrje po del të jenë edhe thatësira, por megjithatë kryeshefi Xhafa siguron konsumatorët se do të ketë furnizim të mjaftueshëm me ujë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat