​Zjarrfikësit e Prishtinës, pak në numër e shumë të vjetër

Prishtina

​Zjarrfikësit e Prishtinës, pak në numër e shumë të vjetër

Më: 3 janar 2021 Në ora: 13:15
Foto Ilustrim

Zjarrfikësit e Komunës së Prishtinës, gjatë vitit 2020, janë përballur me sfida të ndryshme. Përveç, pandemisë COVID-19 e cila morri jetën një zjarrfikësi, ata janë ballafaquar edhe me mungesën e stafit.

Komandanti i Brigadës Profesionale të Zjarrfikësve, Latif Zeka, në një intervistë për KP, ka thënë se gjatë këtij viti kanë kryer mbi 1 mijë e 500 intervenime, ndërsa nga pandemia Covid-19, kanë qenë të infektuar gjashtë zjarrfikës dhe një ka humbur jetën.

Problem kryesor, Zeka e sheh moszgjidhjen e statusit të zjarrfikëseve në Kosovë.

Zeka: Gjashtë zjarrfikës të prekur me virusin Covid-19

“Vitin e kaluar kemi pasur më shumë intervenime, kanë qenë 2055 intervenime, këtë vit kemi 1 mijë 500, e disa intervenime sepse nuk janë llogaritur intervenimet e këtij muaji [...]me pandemi kemi pasur jashtëzakonisht probleme, ku ka pasur zjarrfikës të infektuar, prej tyre janë gjashtë zjarrfikës. Një zjarrfikës i kombësisë serbe ka vdekur prej COVID-19”, ka thënë Zeka.

Zeka ka thënë se mungesa e zjarrfikësve është sfidë në vete. Ai thotë se janë 93 zjarrfikës e për t’i mbuluar komunat që kanë nën përgjegjësi, duhet t’i ketë së paku 200.

Ai thotë se kjo brigadë ka buxhet për 115 zjarrfikës, por shkaku i mosdakordimit të institucioneve përgjegjëse për shpallje të konkursit, Shërbimi i Zjarrfikësve ka mungesë të personelit.

Zeka: Buxheti i zjarrfikësve është për 115, por ne kemi vetëm 93 zjarrfikës

“Është një problem shumë i madh sepse jemi zjarrfikës pak në krejt Kosovën. Unë po e marrë veç Brigadën e Zjarrfikësve të Prishtinës, ku i mbulojmë tri komuna tjera, plus Prishtinën, pra Fushë Kosovën, Obiliqin dhe Graçanicën. Jemi shumë pak, jemi 93 zjarrfikës, ndërsa duhet t’i kemi së paku 200 zjarrfikës për t’u mbuluar ashtu siç duhet [...] Për momentin kjo brigadë, buxhetin e ka për 115 zjarrfikës, domethënë e kemi edhe për 22 zjarrfikës, por nuk po pranohen. Pse nuk pranohen, nuk dakordohen Ministria e Punëve të Brendshme, ose Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, me komunë [...]nuk po munden me u marrë vesh edhe kjo është problemi”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, janë afër 20 vjet që nuk është pranuar asnjë zjarrfikës i ri në këtë brigadë, ndërsa ata që aktualisht punojnë, janë të vjetër për ta kryer këtë punë.

Përveç kësaj, Zeka thotë se me gjithë premtimet e qeverive që ishin në pushtet, statusi i zjarrfikësve ende nuk është zgjidhur.

Zeka: Që 17 vite nuk është pranuar as një zjarrfikës në këtë brigadë

“Po bëhen 17 vjet, asnjë zjarrfikës i ri në Brigadën e Zjarrfikësve në Prishtinë, nuk është pranuar [...]Jemi pak zjarrfikës, vjetërsia është 48 vjeç mosha mesatare, me të vërtetë jemi shumë të vjetër për ta kryer këtë punë[...]Nuk është zgjedhur statusi i zjarrfikësve në krejt Kosovën[...]Ky status gjëja se do të kaloj, por po bëhen 9 vite e nuk është zgjidhur[...]ata po premtojnë se do të zgjidhet statusi i zjarrfikëseve, por për fat të keq këto qeveri po bien dhe situata e zjarrfikëseve po mbetët”, ka thënë Zeka.

Zeka thotë se në kohë pandemie, zjarrfikëset e brigadës së Prishtinës, tre muaj kanë punuar nga 24 orë në ditë, vetëm që të jenë në shërbim të qytetarëve, por me lehtësimin e masave, janë kthyer në orarin e më hershëm 12 orësh.

Ai thotë se edhe sigurimi shëndetësor do të ishte i rëndësishëm për zjarrfikësit, pasi që ka raste kur për lëndimet që pësojnë ata gjatë punës, trajtimin e bëjnë me mjetet e tyre. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat