Pse u arrestua pronari i barnatores në Prishtinë, prokuroria jep detaje

Prishtina

Pse u arrestua pronari i barnatores në Prishtinë, prokuroria jep detaje

Më: 21 janar 2021 Në ora: 19:18
Foto ilustrim

Një aksion i policisë dhe Doganës së Kosovës u realizua dje në qendër të Prishtinës.

Ky aksion çoi në arrestimin e pronarit të një prej barnatoreve më të frekuentuara në kryeqytet, e njohur si ‘Rexall’.

Arrestim i pronarit të barnatores është konfirmuar për lajmi.net nga Dogana e Kosovës.

Në një përgjigje të shkurtër u tha se është realizuar arrestimi me urdhër të prokurorit të rastit gjatë ditës së djeshme.

Lidhur me këtë, media ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët edhe kanë bërë të ditur se ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Arrestimi i tij është bërë nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Kontrabandim i mallrave” si dhe “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për personin në fjalë ju njoftojmë se, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar në  kohëzgjatje prej 48 orësh, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale “Kontrabandimi i mallrave “, nga neni 311 të KPRK-së dhe “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”, nga neni 312 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Po ashtu, ju njoftojmë​ se Prokurori i Shtetit, ndaj të njëjtit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, u tha në përgjigjen e zyrës për media nga Prokuroria.

Në të njëjtën barnatore ku është arrestuar personi i dyshimtë ditë më parë ishte vënë një zjarr, i cili edhe kishte shkaktuar dëme të mëdha.

Vënia e zjarrit në lokalin e kësaj barnatore ishte xhiruar edhe në kamerat e pronarëve të barnatores, por që nuk janë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin.

Duhet përkujtuar që barnatorja në fjalë ishte bastisur edhe më parë nga organet kompetente, si një nga barnatoret e dyshuara për veprat e lartcekura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat