​Prishtina pa ujë, Xhafa thotë se po punojnë me vetëm 40 për qind të kapacitetit

Prishtina

​Prishtina pa ujë, Xhafa thotë se po punojnë me vetëm 40 për qind të kapacitetit

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:12
Sokol Xhafa

Pothuajse të gjitha lagjet e Prishtinës dhe zonave përreth, si Obiliqi dhe Fushë Kosova, po vazhdojnë të përballen me reduktime të shpeshta dhe të gjata të ujit. Edhe pse 21 vjet pasluftës dhe shumë investimeve, KRU “Prishtina” po dështon të furnizojë konsumatorët e saj me ujë 24 orë në ditë.

Tani kur liqenet akumuluese janë mbushur me ujë, nga KRU “Prishtina” njoftojnë se Liqeni i Badocit dhe i Bakllavës janë turbulluar dhe se furnizimi me ujë 24 orë në ditë është i pamundur.

Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa, ka thënë për KosovaPress, se për momentin janë duke punuar me 40 për qind të kapacitetit, pasi fabrika në Shkabaj ka dal nga funksioni rreth dy ditë më parë.

“Jemi duke punuar me 40 për qind të kapacitetit. Ka turbullira në dy liqenet dhe në kanalin e Iber-Lepencit, sa që është e pamundur të trajtojë fabrika në Shkabaj e cila tashmë e 40 orë ka dalë nga funksioni. Tek sot në ora 14:00 e kemi startuar dhe po mundohemi që Fushë Kosovën ta furnizojmë me uji dhe një pjesë të Obiliqit. Ndërsa në Prishtinë jemi duke u munduar që me reduktime të mbajmë disi situatën. Por për shkak të konfiguracionit pikat e ulëta marrin ujë shpejt, ndërsa pikat e larta janë më të atakuara”, thotë Xhafa.

Siç njofton Xhafa ekipet teknike të KRU “Prishtina” janë në terren duke punuar në të gjitha drejtimet, megjithatë ai bëri të ditur se qytetarët do të vazhdojnë të përballen me reduktime aq sa do të ketë turbullira në liqenet akumuluese.

“Problemi zgjidhet varësisht si largohen turbullirat. Janë në fabrika duke punuar laboratorët për pastrim të ujit. Por turbullira është shumë e madhe. Liqeni i Batllavës është në gjendje shumë të turbullt. Nuk kemi pasur raste më herët që kaq shpejt me u mbush liqenet dhe reshjet e mëdha kanë krijuar shumë turbullira”, tha ai për KosovaPress.

Megjithatë, duke ditur faktin se në këto dy stinë mund të kenë probleme, kompania në fjalë nuk arrin që të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat