​Lansohet E-shëndeti për shërbime shëndetësore esenciale në Komunën e Prishtinës

Prishtina

​Lansohet E-shëndeti për shërbime shëndetësore esenciale në Komunën e Prishtinës

Më: 17 mars 2021 Në ora: 17:24
Shpend Ahmeti gjatë lansimit të E-Shëndetit për Shërbime Shëndetësore Esenciale në Komunën e Prishtinës

Si pjesë e projektit Kthimi në Normalitet të ri në Kosovë “Forcimi i qëndrueshmërisë përmes një kthimi të sigurt dhe gjithëpërfshirës të normalitetit në fushat e shëndetësisë dhe arsimit, pas COVID-19”, sot është lansuar E-Shëndeti për Shërbime Shëndetësore Esenciale në Komunën e Prishtinës.

Projekti synon zbutjen e ndikimit të pandemisë COVID-19 në ofrimin e shërbimeve esenciale, duke ofruar shërbime shëndetësore elektronike që do të mundësojnë komunikim virtual midis përdoruesve/ pacientëve dhe mjekëve të tyre familjarë dhe ofrimin e shërbimeve të këshillimit aty ku është e mundur.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se përmes këtij projekti do të evitohen kontaktet e panevojshme mes njerëzve dhe mjekëve, dhe se konsultat dhe këshillat mund të kryhen edhe pa e vizituar mjekun.

Ahmeti: E-shëndeti do të shmangë kontaktet e panevojshme mjek-pacient

“Për atë që ka ndodhur vitin e fundit është që ka ndryshuar jeta siç e njohim, ka ndryshuar siç duket zyra, ka ndryshuar si punohet, ka ndryshuar siç duken shkollat, siç shkojnë fëmijët në mësim, dhe patjetër se ka ndryshuar edhe mënyrën e kontaktit. Konsultat mjekësore, një ide kjo që na ka ardhur së bashku me donatorët, ka qenë pikë koncepti qe në E-qeverisjen tonë e kemi përmend, por COVID e shpejtoi këtë punë dhe në aspektin se tash jemi shumë më shumë të varur, po e them nga mënyrat e komunikimit pa kontakt dhe këtë rast e kemi edhe E-shëndetin apo E-Health, dhe t’i shmangim kontakteve të panevojshme në mes të mjekut dhe pacientit. Pra, nëse një pacient ka nevojë për një konsultë me mjekun dhe nuk ka nevojë që të ketë kontakt fizik apo takim ideja është se t’ia mundësojmë pacientit të komunikojë me mjekun online”, tha Ahmeti.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Nicholas Abbot tha se shpreson që ky projekt t’ua lehtësojë qasjen qytetarëve në shërbimet mjekësore, por edhe punën e mjekëve.

Abbot: Ky shërbim do t’u ofrohet banoreve të Komunës së Prishtinës

“Ka kaluar më shumë se një vit prej kur bota filloi të përballet me sfidën më të madhe të shëndetit publik, e cila ende po vazhdon. Edhe në Kosovë COVID-19 po vazhdon të lë pasoja të rënda... dhe në veçanti në shëndetësi pandemia ka ndikuar negativisht në shërbimet esenciale të shëndetësisë, ka shume qytetarë te prekur me sëmundje e tjera, nuk kane hasur në mundësi të marrin trajtimin e duhur. Andaj pikërisht kjo është arsyeja që ne kemi bashkuar forcat me ekipin e Kombeve të Bashkuara ta ndihmojmë Kosovën në luftën e saj kundër këtij virusi vdekje prurës, po ashtu për të fuqizuar Kosovën që t’i bëjë ballë krizave shëndetësore në të ardhmen, ku qytetarët do të kenë qasje në shërbime shëndetësore pavarësisht krizave që mund të vijnë. Sot kam kënaqësinë që përmes këtij projekti të dorëzoj tabletët për qendrën e mjekësisë familjare të Komunës së Prishtinës, t’ju njoftoj për shërbimin e ri, E-shëndeti, i cili është një shërbim i ri që u ofrohet për herë të parë banorëve të Prishtinës. Ky shërbim do të mundësojë që konsultat me mjekun mund të bëhen në mënyrë virtuale apo përmes telefonit. Mbesim me shpresë që ky shërbim do t’i lehtësojë qasjen e qytetarëve pa dallime, si dhe do t’ua lehtësojë barrën mjekëve, të cilët janë të stërngarkuar”, tha Abbott.

Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Urika Richardson tha se në Kosove ka një lloje padrejtësie në ofrimin e shërbimeve shëndetësorë. Ku qytetarët ndahen sipas statusit të tyre, madhësisë së kuletës, apo sasisë së të ardhurave. Ajo përmes këtij projekti beson që kjo është një mënyrë e rritjes së përfshirjes së ofrimit të shërbimeve esenciale shëndetësore.

Richardson: Shërbime më të mira iu kemi borxh atyre që humbën jetën me COVID-19

“Pandemia është krizë shëndetësore, mirëpo si e tillë ka prodhuar edhe kriza serioze shoqërore, shumë njerëz jetojnë në varfëri, apo kanë disavantazhe të tjera. Këto shtresa, përveç mungesës në qasje të shërbimeve mjekësore, kanë pasur mungesë qasjeje edhe në shërbime të tjera sociale. Jemi dëshmitarë se si COVID-19 është duke shkaktuar po ashtu krizë ekonomike. Kjo ka ndikim tek ata që janë të diskriminuar në shoqëri. Me këtë ndihmë që jemi duke e dhuruar sot, shpresojmë që të vazhdojnë të jepen shërbimet esenciale shëndetësore, edhe ato që ndërlidhe me COVID, edhe ato që nuk ndërlidhën me të. Ne e dimë se në Kosovë ka... nëse mundem të them, një lloj padrejtësie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Parimet universale të shëndetësisë duhen të forcohen në Kosovë, dhe ne mendojmë se ky është një hap shumë i vogël në këtë drejtim, sepse qasja në mjekim nuk duhet të varet nga statusi i juaj, madhësia e kuletës suaj, apo sasisë së të ardhurave tuaja. Ne besojmë se kjo është një mënyrë e rritjes së përfshirjes së ofrimit të shërbimeve esenciale shëndetësore. Shëndetësia është një prej gjërave që duhen forcuar në Kosovë. Besoj se këtë ua kemi borxh atyre që ranë viktimë e COVID-it, ua kemi borxh gjithë atyre familjeve që përjetuan gjithë ato tragjedi, ua kemi borxh gjeneratave të reja”, tha ajo.

Ndryshe, projekti financohet nga Britania e Madhe përmes Ambasadës së saj në Prishtinë, ndërsa implementohet nga Fondi për popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në koordinim me organizatën e kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), IKSHPK dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Objektet shëndetësore të drejtuara nga komuna e Prishtinës ofrojnë Shërbime Shëndetësore Esenciale për 214,688 banorë rezidentë të Komunës së Prishtinës përmes një rrjeti të Qendrave të Mjekësisë Familjare.

Në vitin 2019, qendrat e kujdesit parësor shëndetësor të Komunës së Prishtinës ofruan mbi 1.2 milion shërbime për banorët rezidentë të Prishtinës dhe më gjerë. Meqenëse ofrimi i shërbimeve shëndetësore esenciale në Prishtinë u ndikua negativisht nga pandemia COVID-19, përdoruesit dhe pacientët e shërbimeve shëndetësore u këshilluan të kufizojnë përdorimin e shërbimeve për shkak të rrezikut nga infeksioni dhe për shkak të masave kufizuese të vendosura nga autoritetet qendrore dhe lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat