Ndërhyrjet e policëve në disa raste në Prishtinë, IPK ngrit kallëzim penal ndaj një zyrtari policor

Prishtina

Ndërhyrjet e policëve në disa raste në Prishtinë, IPK ngrit kallëzim penal ndaj një zyrtari policor

Më: 19 mars 2021 Në ora: 10:07
Emina Haxhiu

Rastet e fundit të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikike ndaj qytetarëve të vendit që janë kryer nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK), raste këto të raportuara kohëve të fundit edhe nga qytetarët si dhe përmes video-incizimeve nga mediat në vend, janë duke u hetuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK).

Për rastin i cili ka ndodhur javën e kaluar në rrugën B në Prishtinë, ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur ndaj një qytetareje sprej lotsjellës pasi kishte nxjerrë në shëtitje qenin e saj pa maskë sigurie dhe kishte pyetur Policinë se në cilin ligj bazohet dënimi ndaj saj, IPK-ja ka filluar grumbullimin e informacioneve.

Grumbullimin e informacioneve rreth këtij rasti e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.

Sipas tij, veprimet tjera priten të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së.

“Lidhur me incidentin që është raportuar në media e që ka ndodhur në rrugën B në Prishtinë, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj sipas detyrës zyrtare kanë filluar grumbullimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Veprimet tjera priten të ndërmerren në përputhje me misionin ligjor të IPK-së”, ka thënë ai.

Ndërsa, për rastin tjetër i cili ka ndodhur më datë 08 mars të këtij viti, ku pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë hyrë në një restorant në Prishtinë duke përdorur sprej lotsjellës si dhe dhunë fizike ndaj disa personave të cilët gjendeshin brenda në restorant pasi kishte ende njerëz të cilët punonin edhe pas orarit të lejuar për shkak të masave të ndërmarra anti COVID nga Qeveria e Kosovës, Beka ka thënë për Telegrafin se hetuesit kanë ndërmarr veprime hetimore në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Siç tha ai lidhur me këtë rast IPK-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor lidhur me dyshimet për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

“Lidhur me incidentin që është raportuar në media e që ka ndodhur në lagjen Pejton në Prishtinë (08.03.2021), Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Lidhur me këtë rast IPK-ja ka ngritur kallëzim penal ndaj një zyrtari policor lidhur me dyshimet për veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, tha ndër të tjera zëdhënësi, Arbër Beka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat