Drejtori i Shpend Ahmetit i kërkon Qeverisë Kurti masa më të rrepta Anti Covid

Prishtina

Drejtori i Shpend Ahmetit i kërkon Qeverisë Kurti masa më të rrepta Anti Covid

Më: 2 prill 2021 Në ora: 07:24
Ilustrim

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se është shqetësues numri i lartë i personave të prekur me COVID-19 në kryeqytet.

“Jo vetëm sot, por edhe gjatë tërë muajit mars kemi pasë një lakore në rritje të numrit të rasteve të reja me COVID-19 jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë vendin. Mendoj se është shqetësues numri i madh i rasteve aktive me koronavirus ku vetëm në kryeqytet kemi afër katër mijë raste aktive”.

“Jemi në pritje te masave më të rrepta nga qeveria e re, edhe pse jam kundër mbylljes totale. Kam bërë thirrje që të ketë respektim sa më të madh të masave të vendosura nga Ligji për COVID-19. Respektimi sa i më madh i masave të vendosura për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të ishte një iniciativë e mirë si dhe masa të tjera do të ishin të mirëseardhura, sepse ky trend i rritjes nuk ka të ndalur”.

A do të duhej të ndërmerret diçka ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe kandidates për presidente Vjosa Osmani që në disa fotografi të publikuara nga Gërmia ku ishin bashkë me familjet e tyre shihen pa maska?

“Nëse shkelen masat, atëherë si do t’iu kërkojmë ne profesionistëve shëndetësorë që të zbatojnë ato? Kjo do të ishte jo e drejtë. Unë nuk dua të përzihem duke marrë parasysh se gjobitja është kompetencë e Policisë së Kosovës, por mendoj se masat e vendosura kundër COVID-19 sipas ligjit duhet të jenë të barabarta për të gjithë”.

Ai ka theksuar se nga nesër do të hyjë në funksion platforma online “E-shëndetësia” nëpërmjet të cilës pritet të jepen këshilla nga stafi shëndetësor për qytetarët e prekur me COVID-19.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat