Tahiri: Dy parti politike përfundojnë te përmbaruesi

Prishtina

Tahiri: Dy parti politike përfundojnë te përmbaruesi

Më: 9 prill 2021 Në ora: 20:53
Adonis Tahiri

Drejtori i Inspektoratit të Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, i kanë paguar gjobat për thyerjen e rregullave anti-COVID gjatë fushatës elektorale.

Tahiri në emisionin “038” tregoi se Lidhja Demokratike e Kosovës, NISMA dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë përfunduar te përmbaruesi, pasi nuk i kanë paguar gjobat.

“Gjatë fushatës kemi shqiptuar 20 gjoba, shtatë për VV-në, pesë për LDK-në, tre për PDK-në dhe AAK-në, dhe nga një për NISMËN dhe AKR-në. Deri tani, pagesat janë bërë nga VV-ja, PDK-ja dhe AKR-ra, ndërkaq LDK-ja, NISMA dhe AAK-ja nuk kanë paguar. Gjobat kanë qenë sipas ligjit anti-COVID, dy mijë euro për secilin gjob. Subjektet që i kanë kryer pagesat brenda dy javëve, i kanë paguar përgjysmë më lirë, ndërsa ato që nuk i kanë kryer, do të paguajnë shumën e plotë dhe ato që i kërkon përmbaruesi”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shtoi se inspektorët e terrenit nuk do ta trajtojnë me prioritet çështjen e COVID-19, për shkak që nuk po përfitojnë shtesa nga Qeveria.

“Nuk do ta trajtojmë me prioritet këtë temë, varësisht prej kohës që kanë inspektorët. Kjo për shkak që inspektorët po vazhdojnë të diskriminohen nga kjo qeveri, sikur edhe ajo e kaluar, pasi nuk marrin shtesë. Prandaj, këtë temë rreth COVID-19 do ta trajtojmë si çdo ditë tjetër. Qeveria e ka pasur listën e emrave për inspektorët e terrenit, për të shikuar listën se sa para do të duhen për t’i mbuluar shtesat, por politika ditore, asgjë më shumë”, u shpreh ai.

Tahiri nënvizoi se Komuna e Prishtinës po vazhdon të ketë mungesë të inspektorëve në secilin sektor.

“Kemi bërë kërkesë për rritje të stafit, pasi me territorin që ka Prishtina, është e vështirë. Po vazhdojmë të kemi problem me rekrutim, për shkak të ndryshimit të ligjit që është bërë. Ministria e Administratës Publike është bashkuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kjo ka krijuar shumë pështjellime. Asnjë komunë nuk ka arritur të shpallë konkurs për punësim për shkak të këtyre ndryshimeve. Në secilin sektor, ka mungesë të inspektorëve”, deklaroi Tahiri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat