Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për armëmbajtje pa leje, thotë se arma që ishte gjetur ka qenë e prishur

Prishtina

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për armëmbajtje pa leje, thotë se arma që ishte gjetur ka qenë e prishur

Më: 19 maj 2021 Në ora: 12:33
Pamje nga seanca

I akuzuar nga prokuroria për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, Nehat Mahmuti u deklarua i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Prlincevic, Mahmuti tha se nuk e ndjen veten fajtor për veprën që i ngarkohet nga prokuroria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë për këtë punë fajtor nuk ndihna, nuk e ndi veten fajtor, ajo u kanë armë e prishur, u kanë e babës d.m.th. ai e ka gjet, e u met me ni skej qaty” tha i akuzuari Mahmuti.

Pas deklarimit të Mahmutit, gjykatësi i rastit Avni Syla, e njoftoi atë se në afat prej 30 ditësh mund të paraqes kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nehat Mahmuti po akuzohet se nga data e pavërtetuar deri më 2 maj 2020 kur ka ndodhur një mosmarrëveshje mes të akuzuarit dhe Agim Mahmutit, në posedimin të tij, ilegalisht ka mbajtur armën e zjarrit-pistoletën e markës “Voltra” pa kafkë dhe pa karikator, e cila nuk ishte e as nuk ka mundur të jetë në funksion, e për të cilën i akuzuari Nehat Mahmuti nuk ka pasur lejen valide të lëshuar në pajtim me dispozitat e ligjit mbi armë.

Andaj, siç thuhet në aktakuzës, me këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat