Komuna e Prishtinës zgjat orarin e punës, deri në 3 orë pritje për shërbime

Prishtina

Komuna e Prishtinës zgjat orarin e punës, deri në 3 orë pritje për shërbime

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 18:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Sportelet e tatimit në pronë në Komunën e Prishtinës, nga e hëna do të ofrojnë shërbime nga ora 08:00, në mënyrë që pritjet e qytetarëve të jenë më të shkurtëra. 

Këtë vendim, komuna e ka komunikuar pasi që mëngjesin e sotëm qytetarët e Prishtinës kanë pritur para objektit të kësaj komune disa orë, që të kryejnë obligimet e tyre për regjistrimin e automjeteve. 

Afron Totaj, qytetar nga Prishtina ka thënë se ka pritur tre orë që t’i kryej pagesat.

“Prej orës 7:30 jemi ardh, 10:30 ora tani. Punën e kemi lënë keq për me ardh këtu e me prit. Jemi duke prit që të bëjmë një pagesë për pronë, për regjistrim të veturës. Ne kemi qenë duke pritë ne rend e zyrtarët komunal kanë ardh pas neve. Kjo  nuk është hera e parë që presim, edhe vitin e kaluar ka qenë kështu, por vitin e kaluare kemi pas parasysh që ka qenë koha e pandemisë. Krejt e kemi lanë punën për me ardhë këtu, duhet me qenë dikush që merr përgjegjësi për atë se çfarë po ndodhë këtu”, tha Totaj.

Gjithashtu, edhe Hasan Gashi shprehet i pakënaqur shërbimet të cilat ofrohen në të gjitha institucionet.

“Nuk është veç sot kështu, ne çdo ditë presim në rend, jo veç këtu po në çdo institucion. Çdo ditë e kemi kështu. Kjo është shumë e pa përgjegjshme. Jemi duke prit që nga ora 7 e mëngjesit duke krijuar tollovi”, tha Gashi.

“Ju njoftojmë se me qellim të menaxhimit më të mire të shërbimit për qytetarë, duke filluar nga dita e hëne, 21 qershor, sportelet e tatimit në pronë do të ofrojnë shërbime nga ora 08:00 deri në përfundim të orarit”, thuhet në komunikatë e Komunës së Prishtinës.

Kjo, sipas tyre, do të ndihmojë mbarëvajtjen e të gjithë procesit dhe do të ndikojë në uljen e kohës së pritjes para sporteleve.

Kujtojmë se Komuna e Prishtinës edhe ditë më parë ka marr vendim që të zgjasë orarin e punës në sportelet e tatimit në pronë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat