Këshilli i prindërve të Prishtinës: E papranueshme shtyrja e mësimit

Prishtina

Këshilli i prindërve të Prishtinës: E papranueshme shtyrja e mësimit

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 16:50
Foto ilustrim

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit Arben Vitia, për mundësinë e shtyrjes së serishme të fillimit të procesit mësimore.

Sipas Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës ky vendim është në kundërshtim të plotë me Udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për vitin 2021-2022. Ai Udhëzues parashikon katër skenarë të procesit mësimor e jo vetëm një, sikurse ka pretenduar z. Vitia.

“Për më tepër, lehtësia me të cilën po deklarohet shtyrja e mundshme e procesit mësimor po na tingëllon edhe e paarsyeshme edhe e papërgjegjshme – sidomos kur nga e hëna u pritka hapja e restoranteve edhe në hapësirat e brendshme (!). Njëkohësisht këto veprime (parandaluese) janë krejt ndryshe me çfarë është thënë e bërë për më shumë se një muaj nga Ministria e Arsimit dhe drejtoritë komunale të arsimit, se përgatitjet janë bërë për të filluar procesi mësimor, por edhe me të gjitha masat e mëhershme të zhvillimit të procesit mësimor në kohë pandemie”, thuhet në reagim.

Këshilli i Prindërve i Komunës së Prishtinës, paralajmëron Vitinë se nëse shtyhet përsëri fillimi i vitit të ri shkollor do të shqyrtojnë angazhimi ne mëtejmë të prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, andaj u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor.

“Nëse vazhdohet me këso vendimesh joserziore të shtyhet fillimi i procesit mësimor, si dhe të kushtëzohet fillimi i tij me skenarë të shpikur pa nevojë, ne si Këshill i Prindërve në Prishtinë do të shqyrtojmë seriozisht opsionin që të pezullojmë angazhimin e prindërve nëpër shkollat e Prishtinës, si në Këshilla Drejtues ashtu edhe në Task Forcat e shkollave. Nuk përjashtohet edhe thirrja për bojkotim të mbledhjeve të prindërve nëpër klasa. Ju bëjmë thirrje të gjitha institucioneve vendimmarrëse, që të jenë serioz e të përgjegjshëm për deklarimet e vendimet që marrin për procesin mësimor dhe që më datë 27 shtator të fillohet procesi mësimor - me një skenar të pranueshëm e të përshtatshëm. Shtyrja e mëtejme do të jetë absolutisht e papranueshme për ne’, përfundon reagimi i Këshillit të Prindërve të Komunës së Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat