Prezantohet projekti i Përparim Ramës për lagjen “Ulpiana” gjatë qeverisjes së tij

Prishtina

Prezantohet projekti i Përparim Ramës për lagjen “Ulpiana” gjatë qeverisjes së tij

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 18:44
Përparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prishtinës, Perparim Rama, ka prezantuar sot projektin e tij për lagjen “Ulpiana” gjatë qeverisjes së tij.

Zgjidhja e problemit të parkingjeve, rregullimi i tregut dhe rregullimi i soliterëve të Ulpianës ishin vetëm disa prej projekteve që Rama i prezantoi para banorëve të kësaj lagje.

Rama u zotua se nëse merr besimin e qytetarëve, do të zgjidhë problemin e parkingjeve në lagjen “Ulpiana” nëpërmjet krijimit të lejeve për banorët rezidentë.

Rama: Problemin e parkingjeve do ta zgjidhim në formë të lejes për parking

Banorët këtu e kanë të njëjtin problem, do të thotë parkingjet përmendën gjithë kohën. Kalkulimi ynë i këtyre vendeve të banimit në relacion me numrat e parkingjeve numrat janë në rregull, mirëpo çka ndodh, ndodh se ne nuk e dimë se kush parkohet këtu, kush ka ardhur të parkohet, sa rrinë, kur e ka parkuar veturën, a është një ditë, a është një javë, a është një muaj, a është 10 muaj. Edhe këtë zgjidhje iu kam premtuar të gjithë banorëve që do ta zgjidhim menjëherë në formë të lejes për parking. Të gjithë njerëzit që jetojnë këtu dhe paguajnë taksën për këtë vend, mund të vijnë të aplikojnë për të marrë lejen për parking, e kjo e definon se kush mund të parkojë këtu e kush jo”, tha ai.

Rama u shpreh se do të ketë tiketa edhe për mysafirët e banorëve rezidentë të kësaj lagjeje, derisa theksoi se do të ketë edhe parkingje me pagesë për ata që duan të parkojnë në këtë zonë të Prishtinës.

Zgjidhje ka premtuar edhe për tregun e Ulpianës, i cili tha se aktualisht është në gjendje të mjerueshme.

Rama: Tregu është në gjendje të mjerueshme

“Tregu është në gjendje të mjerueshme, tregu i Ulpianës. Me projektet tona edhe kjo do të shndërrohet në një treg të ri, bashkëkohor, brenda afatit dyvjeçar. Këtë do ta bëjmë, sepse jo vetëm Ulpiana që e meriton çdo pjesëtar i këtij vendi, e meritojnë edhe tregtarët aty që vijnë na furnizojnë me ushqim të freskët çdo ditë, e meritojnë një mundësi më të mirë për plasimin e mallrave të tyre, të ushqimit me të cilin ne ushqehemi”, tha ai.

Gjatë mandatit të tij, Rama ka premtuar zgjidhje për soliterët e Ulpianës, teksa ka kritikuar gjendjen në të cilën janë lënë soliterët tash e sa vite, duke thënë se jo tregon se si trajtohen trashëgimia arkitektonike në vendin tonë.

Rama: Do të krijojmë një laramani pozitive për të mirën e Ulpianës

“Me projektin tonë, me propozimin tonë në një zhvillim miks midis këtyre soliterëve ku mundësojmë funksione të ndryshme si çerdhe ose dyqane, në kafe ose zyre edhe pjesë të gjelbra gjysmën private për rezidentët. E krijon një laramani pozitive për të mirën e këtij vendi, Ulpianës e të gjithë qytetit edhe e krijon një pikë strategjike ikonike me të cilën qyteti ynë identifikohet. Këtu janë rreth 7 mijë metra katrorë që mund t’i krijojmë, kosto e ndërtimit rreth 7 milionë euro, toka është e komunës, pra të gjitha i kemi, kemi vendin, kemi projektin, e kemi buxhetin e do ta shndërrojmë Prishtinën në Prishtinë praktike, në Prishtinë të gjelbër e të pastër, në Prishtinë të përjetimeve të mira e pozitive”, u shpreh Rama.

Rama ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij me Prishtinën, në lagjen “Ulpiana” do të largohen të gjitha tjegullat nga azbesti dhe do të zëvendësohen me panele solare, të cilat tha se përveç që e mbrojnë shëndetin e qytetarëve ndihmojnë në krijimin e një energjie efiçiente.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat