Ismaili: Zotohem për kryerjen e këtyre projekteve në Breg të Diellit

Prishtina

Ismaili: Zotohem për kryerjen e këtyre projekteve në Breg të Diellit

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 17:26
Uran Ismaili

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Prishtinës, Uran Ismaili është zotuar sot për zgjidhjen e shumë problemeve në Breg të Diellit, përfshirë zgjidhjen e çështjes së qenve endacak.

Ismaili në një konferencë për media u premtoi banorëve pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes, parking për çdo familje, shtim të brezave gjelbërues, ndërtim të shtigjeve për biçikleta dhe lidhje me Mat me ura apo nënkalime.

E rregullimin e këtyre problemeve, të cilat i quajti të përditshme, pretendenti për kryetar të Prishtinës, tha se do t'i përfundojnë brenda 2 viteve të para të mandatit.

Ismaili: Në Breg të Diellit më ka lind dashnia për Prishtinën

"Kjo është lagjja ku m’ka lind dashnia për Prishtinën dhe është lagja ku së bashku me Arizonën kemi kriju familje... Fatkeqësisht, kjo lagje e Prishtinës ka probleme të shumta, me hapësira publike dhe gjysmë-publike të patrajtuara, mungesë ndriçimi në pjesë të caktuara, qentë të shumtë endacakë, mungesë të parkingjeve në lagje, mbindërtimet ilegale, mungesë të hapësirave komunitare në lagje e.t.j", tha ai.

Por pretendenti për kryetar të Prishtinës tha se nuk do të ankohen, pasi që ka ardhur koha që për këto probleme të gjendet zgjidhje e përhershme, e për të cilat u kërkoi banorëve të kësaj lagjeje që ta mbajnë përgjegjës.

Ismaili: Zotohem për kryerjen e këtyre projekteve në Breg të Diellit

"Zotimet janë: pastërti e ndriçim efiçient në çdo pjesë të lagjes, parking për çdo familje, largimi i problemit të qenve endacakë, shtimi i brezave gjelbërues dhe hapësirave sportive, ndërtimi i shtigjeve për biçikleta dhe ndërlidhje e tyre me lagjet e tjera, ulja e shpejtësisë së vozitjes brenda lagjes në 30 km, rigjenerim i platove dhe hapësirave garazhuese, investime në ndërtesa përmes ndërmarrjes publike banesore, shtimi i pikave grumbulluese të mbeturinave dhe shportave të rrugës, lidhje me lagjen Mati me ura apo nënkalime për këmbësorë e çiklistë në disa pika, investimi në hyrje të ndërtesave përmes Ndërmarrjes Publike Banesore, rregullimi i platosë te banesat e bardha, shtrimi i rrjetit të Termokos te banesat e bardha, gjelbërimi dhe mirëmbajtja e të gjitha hapësirave semi-publike, emërim i kopshtarit të lagjes, realizimi i parkut për qentë, trajtimi i strehimores te banesat e Ontex-it, rregullimi i studionit të vjetër të lojërave te blloku i parë", tha ai.

Përveç zgjidhjes së problemeve të përditshme, Ismaili premtoi realizim të projekteve që e kthejnë Prishtinën në një qytet të gjelbër, me ekonomi e shërbime digjitale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat