​Haradinaj prezanton programin para banorëve të disa lagjeve të Prishtinës

Prishtina

​Haradinaj prezanton programin para banorëve të disa lagjeve të Prishtinës

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 20:02
Daut Haradinaj

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka takuar sot banorët e lagjes së Parkut të Qytetit, Rruga e Bledit, Velanisë dhe Taslixhes, para të cilëve ka prezantuar planin e tij qeverisës.

Ndërtimin e spitalit të Prishtinës, zgjidhje të çështjes së legalizimit të pronave, qenve endacakë e respektim të Ligjit për kryeqytetin, ka premtuar ai.

Haradinaj deklaroi se dallimi në mes tij dhe kandidatëve të tjerë është se ai e mban fjalën për premtimet e dhëna.

Pretendenti për kryetar të kryeqytetit tha se gjatë mandatit të tij do të zgjidhë çështjen e legalizimit të ndërtimeve. Për të zgjidhur këtë çështje, Haradinaj tha se e ka edhe planin e edhe guximin.

Haradinaj: Ka munguar vullneti për të zgjidhur çështjen e pronave

“Kryetari i kryeqytetit, drejtori ka kapacitete dhe mundësi ligjore që të emërojë 50 komisione për pranimin teknik në kryeqytet. Pse ka mundësi? Sepse universitetet tona janë fabrikë e prodhimit të intelektualëve, arkitektëve dhe inxhinierëve dhe nuk kanë munguar kuadrot, por ka munguar guximi për të marrë një vendim të tillë. Pastaj i kemi lagjet në periferi të kryeqytetit. Nëse shkojmë në Kodër të Trimave, Hajvali ose Emshir, do të shihni se në çfarë gjendje jetojnë qytetarët tanë. Nëse dalim prej rrugës kryesore në Kodër të Trimave, është për keqardhje në vitin 2021 kur e sheh se si jeton populli jonë atje. Ata nuk e kanë statusin e pronës së zgjidhur. Çdo qytetar i kryeqytetit që e dëshmon me tre dëshmitarë që ka jetuar në atë pronë i bartet pronësia. Është shumë e thjeshtë në bazë të ligjit po flasim”, tha ai.

Haradinaj kritika ka pasur edhe për gjendjen e varrezave të dëshmorëve në kryeqytet, për çka tha se në mungesë të kujdesit institucional është kthyer në një qendër të mbeturinave.

Haradinaj: Kushdo që dëshiron ta shohë turpin e kryeqytetit, le të shkojë te varrezat e dëshmorëve

“Kushdo që dëshiron ta shohë turpin e kryeqytetit, le të shkojë te varrezat e dëshmorëve në kryeqytet, le të shkojë le ta shohë si është parku i Velanisë, le të shkon le ta shohë varrin e presidentit Rugova, Adem Demaçit, Ilir Konushevcit, Shaban Shalës, heronjve të Kumanovës dhe gjithë atë hapësirë. Aty sot është kthyer në një qendër të mbeturinave, për mos me thënë shkurt e shqip është kthyer në një qendër turpi për kryeqytetin. Prej këtu është 700 metra vijë ajrore, kurrkush nuk na ka ndalë ta rregullojmë dhe ta shndërrojmë në zonë të shfrytëzueshme për tri lagjet që e rrethojnë parkun. Në të njëjtën kohë t’i rregullojmë ato varreza, sepse nuk mund e mohojmë historinë tanë, se nëse e mohojmë natyrisht se na përsëritet”, tha Haradinaj.

Në gjendje më të mirë, Haradinaj tha se nuk është as parku i qytetit, ku duhet të investohet në ndriçim dhe mirëmbajtje.

Ai ndërkaq ka premtuar zgjidhje edhe për problemin e qenve endacak në Prishtinë.

Haradinaj: Vetëm në 24 orët e fundit kemi 36 kafshime nga qentë endacakë në kryeqytet

“E nisa me qentë endacakë se shumica prej jush e keni këtë problem. Shumë njerëz nuk e kuptojnë çka do të thotë zgjidhja e këtij problemi, por është shumë e thjeshtë, me një qendër të grumbullimit të tyre, me një rini çfarë e kemi ne, me gastronomi që e kemi ne 2.200 gastronom në kryeqytet vetëm mbetjet e artikujve ushqimor ti e zgjidh këtë problem. E po ashtu i punëson nja 60 vajza e djem në kryeqytet. Kjo është një mundësi që shumë shtete e kanë praktikuar dhe sot nuk e kanë këtë telashe. Vetëm në 24 orët e fundit kemi 36 kafshime nga qentë endacakë në kryeqytet”, tha Haradinaj.

Sipas tij, më urgjente në kryeqytet është respektimi i Ligjit për Prishtinën, i cili parasheh krijimin e Policisë së qytetit, e që sipas tij do të zgjidhte shumë probleme të sigurisë në kryeqytet.

Haradinaj: Policia e kryeqytetit na duhet për të siguruar qytetarët e Prishtinës

“Një ekspert, një psikolog që kishte thënë që mosha mesatare e përdoruesve të narkotikëve në shkolla është 12-vjeç, e mos harroni ky problem është kah kthehet në fenomen tepër shqetësues dhe unë nuk besoj që këtyre fëmijëve prindërit po ju japin narkotikë te shtëpia për të shkuar ata në shkollë me e përdor. Vagabond po sillen dhe po e shesin hashashin, të themi në gjuhën popullore, si një byrek. Për këtë arsye ne udhët të kemi urgjent policinë e kryeqytetit, sepse ata do të garantojnë siguri në shkollë, trafik, siguri për jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Haradinaj ka premtuar përfundimin e projektit të unazës së qytetit, që sipas tij do të shkarkonte trafikun. Sa i përket parkingjeve, ai tha se këtë problem do ta zgjidhte krijimi i gjashtë parkingjeve vertikale në gjashtë lagje të Prishtinës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat