Aksioni për pastrimin e Kosovës filloi në Prishtinë

Prishtina

Aksioni për pastrimin e Kosovës filloi në Prishtinë

Më: 24 maj 2017 Në ora: 14:24
Hapja zyrtare e aksionit të sotëm u bë në një deponi ilegale të mbeturinave, e cila gjendet afër varrezave në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

Për të gjashtin vit me radhë, ka filluar aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, ku gjatë ditës pritet të marrin pjesë mbi 50 mijë vullnetarët, të cilët do të angazhohen për pastrimin e rreth 200 deponive ilegale të mbeturinave.

Hapja zyrtare e aksionit të sotëm u bë në një deponi ilegale të mbeturinave, e cila gjendet afër varrezave në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit.

Koordinatori i Organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka shprehur shqetësimin e grupit për problemet e mjedisit me të cilat po përballet Kosova.

Hasanaj: Kosova vazhdon të ketë probleme me ruajtjen e mjedisit

“Kosova vazhdon të ketë probleme me ruajtjen e mjedisit. Një pjesë e madhe e qytetarëve fatkeqësisht akoma janë të pandërgjegjshëm dhe të pavetëdijshëm që ju takon atyre së pari të kujdesen për mjedisin jetësor. Por, në anën tjetër edhe një pjesë e institucioneve kanë nevojë që të jenë pak më të vëmendshëm, pak më të përgjegjshëm karshi kësaj problematike. Po them kështu, sepse këtu ku jemi, sikur të ishin më të vëmendshëm inspektorët dhe Policia gjendja nuk do të ishte kështu”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, tha se po mbështesin aksionet e Organizatës “Let’s Do It Kosova” për largimin e mbi 200 deponive ilegale të mbeturinave.

Shala: Po e mbështesim largimin e mbi 200 deponive ilegale

“Sot bashkë me të gjithë këta të pranishëm ne po e mbështesim organizatën ‘Ta pastrojmë Kosovën’ me aksione jo simbolike por të shtrira fuqishëm në mbi 200 pozicione në tërë territorin e vendit, në mënyrë që edhe ne konkretisht të dhamë kontributin tonë në pastrimin e mjedisit në Kosovë. Idetë e tilla, aksionet e tilla, Ministria e Mjedisit, personalisht unë dhe kabineti im i kemi mbështetë dhe do ti mbështesim, do të rrisim bashkëpunimin maksimal me të gjitha këto organizata joqeveritare që kanë synim mjedisin në Kosovë”, tha Shala.

Po ashtu, ai tha se është një ditë që kujton ngritjen e vetëdijes karshi çështjeve mjedisore, ruajtja e mjedisit është obligim moral e ligjor për të gjithë.

Ambasadori i misionit të OSBE-së, Jan Braathu, tha se që nga aksioni i parë kur ka marrë pjesë vëren një ndryshim dhe një vetëdijesim që mentaliteti për ambientin po ndryshon për të mirë.

Braathu: Është kënaqësi që edhe kësaj radhe jam pjesë e kësaj fushate

“Është kënaqësi për mua që të jem prapë edhe kësaj radhe pjesë e kësaj fushate ‘Ta pastrojmë Kosovën’ dhe siç më informuan e njëjta fushatë është duke u bërë në më shumë se 200 lokacione gjithandej Kosovës dhe diku rreth më shumë se 50 mijë të rinj janë të përfshirë në këtë fushatë. Që nga 2011, që kur jam në Kosovë kam qenë gjithmonë në përkrahje të kësaj fushate sepse ambienti është i rëndësishëm për shëndetin tonë. Ma merr mendja se po, sepse mund ta krahasoj që nga hera e parë kur është organizuar kjo fushatë dhe tani unë e shoh ndryshimin, e shoh numrin gjithmonë në rritje të pjesëmarrësve sidomos të rinjve dhe mendoj se mentaliteti për ambientin po ndryshon për të mirë”, tha ai.

Për realizimin e aksioneve të sotme, Forca e Sigurisë së Kosovës ka angazhuar personel dhe makineri, ndërsa u shprehën të gatshëm për përkrahjen e iniciativave të tilla në të mirë të vendit. Këtë e bëri të ditur nënkoloneli, Afrim Veseli.

Veseli: FSK ka angazhuar personel dhe makineri në të gjithë komunat e vendit

“Edhe sot Forca e Sigurisë së Kosovës si çdo herë është krahas institucioneve të vendit dhe me urdhrin e komandantit të FSK-së për këtë ditë ka angazhuar personel dhe makineri në të gjitha komunat e vendit që ta shënojmë këtë ditë për një ambient më të mirë”, tha ai.

Në aksionin e sotëm mori pjesë edhe kryetari i Shoqatës së Personave me Nevoja të Veçanta në Kosovë, Agim Vatovci, i cili tha se persona me aftësi të kufizuara janë të vetëdijshëm për pastrimin e vendit, pasi sipas tij, mbeturinat e hedhura vend e pa vend po shkaktojnë sëmundje kancerogjene.

Aksioni ka nisur edhe në komunat e tjera të Kosovës, duke filluar nga ora 10:00, ndërsa do të vazhdojë edhe gjatë ditës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat