Zherka: Qeverisja e Ahmetit kampione e padrejtësive

Prishtina

Zherka: Qeverisja e Ahmetit kampione e padrejtësive

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 15:25
Sekretari i PDK-së në Prishtinë, Bujar Cakolli

(E plotësuar) - Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka vazhduar të denoncojë qeverisjen e Shpend Ahmetit duke thënë se gjatë gjithë këtyre vjetëve ka bërë politikë dhe biznes me leje ndërtimore.

Sekretari i PDK-së në  Prishtinë, Bujar Cakolli ka thënë se lejet për ndërtim janë dhënë në këmbim të dhënies së lokaleve dhe kateve të banesave për njerëzit e Vetëvendosjes dhe Shpend Ahmetit.

Cakolli: Po i trajtojmë pazaret e komunës së Prishtinës

“Derisa po i trajtojmë padrejtësitë dhe pazaret që komuna e Prishtinës i ka bërë me lejet ndërtimore ne si degë e PDK-së në kryeqytet nuk kemi dashur të lëshohemi në ato që thuhen për ndërtime të ndryshme banesore apo edhe biznesmenë të shumtë që për të marrë leje ndërtimi janë detyruar t’u japin edhe kate banesash dhe lokale njerëzve të Vetëvendosjes dhe të Shpend Ahmetit”, tha ai.

Ndërsa, asamblistja e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Laura Zherka ka thënë se shumica e pazareve bëhen përmes disa kompanive projektuese të afërta me krerët e Prishtinës.

Zherka: Pazaret i bëjnë përmes disa kompanive projektuese

“Shumicën e këtyre pazareve këta i bëjnë edhe disa kompanive projektuese të afërta me krerët e komunës së Prishtinës të cilët sipas metodës ua bëjnë projektet ndërtuesve, ua sigurojnë lejet e ndërtimit atyre dhe u marrin banesat apo shpërblime të tjera si kompensim për këta të tjerët që qëndrojnë prapa këtyre lejeve ndërtimore”, shtoi ajo.

Zherka ka thënë se në 104 rastet e dorëzuara në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nga qytetarët e Prishtinës për mos dhënie të lejeve ndërtimore vetëm në një rast kishte të drejtë komuna e Prishtinës dhe në 103 rastet tjera iu është bërë padrejtësi qytetarëve të kryeqytetit.

Ajo po ashtu ka thënë se klani i Vetëvendosjes jep leje ndërtimi në mënyrë të kundërligjshme dhe sipas interesave të tyre personal dhe partiak.

Zherka i ka quajtur krerët e Prishtinës, kampionë të pabarazisë dhe padrejtësive ndaj qytetarëve të kësaj komune.

Zherka: Japin leje ndërtimi kundërligjshëm

“Këta japin leje ndërtimi kundër ligjshëm aty ku nuk duhet sepse i kanë interesat e tyre personale e politike, ndërsa nuk i japin leje aty ku duhet ku lejohet edhe me ligj dhe plane rregulluese e zhvillimore sepse nuk kanë interesa të tyre personale politike,gjithë gojën e kanë barazi deri sa janë kampion të pa barazisë dhe padrejtësive të qytetarëve të Prishtinës”, tha Zherka.

Asamblistia nga radhët e PDK-së në Prishtinë ka thënë se qeverisja e Vetëvendosjes dhe ‘klani i dostave’ të Shpend Ahmetit shkel ligjin çdo ditë dhe nuk i përfill as planet rregulluese dhe zhvillimore, dhe për dhënie e lejeve kriterin e vetëm e kanë interesin partiak.

Ndryshe në këtë konferencë për media është thënë se qeverisja e Shpend Ahmetit ka lëshuar leje ndërtimore në hapësira ndërtimore në mënyrë të pa ligjshme siç është rasti i rrugës B, po ashtu tek lagjja Arbëria u tha se ka pasur qasje selektive në dhënien e lejeve ndërtimore.

Ndërsa për Lakrishten u tha se është rast tipik se si komuna e Prishtinës përdor standarde të dyfishta për leje ndërtimore. 

PDK: Shpend Ahmeti dhe VV bëjnë politikë dhe biznes me leje ndërtimore (Dokument)

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë, përmes një konference për media ka adresuar padrejtësitë që u bëhen ndërtuesve në Prishtinë me qasje selektive dhe përzgjedhje korruptive në dhënien e lejeve ndërtimore.

Komuna e Prishtinës, sipas PDK-së, gjatë gjithë këtyre vjetëve ka bërë politikë dhe biznes me leje ndërtimore.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës, Bujar Cakolli, ka thënë se kanë dyshime të bazuara, që shumicën e pazareve me leje ndërtimi, qeverisja e Vetëvendosjes i bënë përmes disa kompanive projektuese të afërta me krerët e Komunës së Prishtinës, të cilat ua menaxhojnë pazaret sipas metodologjisë “ua bëjnë projektet ndërtuesve, ua sigurojnë lejet e ndërtimit atyre dhe u marrin banesa, lokale apo shpërblime të tjera si kompensim për këta tjerët që u qëndrojnë pas dhe që ua lejojnë ndërtimet”.

Image

Cakolli ka thënë se për këto kompani projektuese kanë folur edhe më parë dhe do të flasin sërish, ndërsa sot ka trajtuar çështjen e lejeve ndërtimore, duke marrë si burim informacioni vetëm raportet zyrtare dhe publike të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Image

Ndaj politikës së poshtër të administratës së Prishtinës në dhënien e lejeve ndërtimore në mënyrë selektive, Cakolli ka thënë se në vitin 2016 kanë reaguar 104 ndërtues, duke deponuar ankesa në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si organ shqyrtimi i shkallës së dytë, ku për 103 prej atyre rasteve janë kthyer përgjigje në favor të qytetarëve apo ndërtuesve, duke ju dhënë të drejtë atyre, kurse vetëm në 1 rast i ka dhënë të drejtë Komunës së Prishtinës.

Sipas Cakollit, kjo do të thotë që “Klani i Dostave” brenda Komunës së Prishtinës janë duke bërë kasaphane me leje ndërtimore.

Image

“Leje ndërtimi këta japin vetëm aty ku kanë interesa politike e financiare, kurse në rastet e tjera ose nuk ua kompletojnë lëndët qëllimshëm, ose nxjerrin vendime të dëmshme, siç po vërehet edhe nga këto raporte zyrtare, ku nga 104 raste të mosdhënies së lejes, vetëm në njërin prej tyre kanë pasur të drejtë, derisa 103 qytetarëve apo ndërtuesve ua kanë mohuar qëllimshëm të drejtat e tyre”, ka thënë ai.

Image

Në 99,99% të rasteve që janë ankuar në vitin 2016, Cakolli ka thënë se Komuna e Prishtinës ka bërë padrejtësi dhe ua ka mohuar atyre të drejtat si pronarë dhe qytetarë.

“Kjo vetëm sa e fuqizon perceptimin publik që ekziston te prishtinasit, se për të marrë leje prej tyre në Komunën e Prishtinës, ndërtuesit duhet t’ua japin ndonjë kat banese, ndonjë lokal apo edhe shpërblime të tjera të majme. Tërë fjalorin elektoral e kishin të orientuar drejt barazisë shoqërore, kurse trendi i rritjes së pabarazisë dhe padrejtësive që bëjnë ndaj gjithë atyre që nuk janë pjesë e Vetëvendosjes apo e “Klanit të Dostave” vërehet edhe në vitin 2017”, ka thënë Cakolli.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat