Lirak Çelaj prezanton programin për Prishtinën - Bota Sot
Lirak Çelaj prezanton programin për Prishtinën

Prishtina

Lirak Çelaj prezanton programin për Prishtinën

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 12:32
Lirak Çelaj

Në Prishtinë pritet të jetë një garë e fortë për të parin e kryeqytetit. Tashmë janë zyrtarizuar thuajse të gjithë kandidatët për kryetarë të Prishtinës nga partitë politike.

Kryetari aktual i Prishtinës nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, synon edhe një mandat, mirëpo ai do të ketë kundërshtar të fortë siç është Lirak Çelaj nga PDK, Arban Abrashi nga LDK, Arbër Vllahiu nga AAK, Shyqyri Bytyqi nga Nisma e të tjerë.

Mediat kanë kontaktuar me kundërshtarin më të madh të Shpend Ahmeit, Lirak Çelajn për të pyetur rreth programit të tij qeverisës. Ai ka thënë, se në garë po futet të fitojnë dhe se PDK ka ofertë të mirë për qytetarët.

“Absolutisht në garën që po futem është garë që po futem për të fituar qeverisje. Programi jonë do të jetë oferta më e mirë për qytetarin e Prishtinës”, ka thënë ai.

Përparësi e PDK në Pishinë, sipas Çelajt, është se PDK nuk ka qeverisë asnjëherë në Prishtinë, ndërsa këto dy subjekte tjera kanë pasur rastin të dëshmojnë se a dinë me qeverisë.

“Besoj se shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me qeverisjet deri më sot, prandaj është momenti i Partisë Demokratike të qeverisë”, deklaroi ai.

Trafiku urban, parkingjet, zgjerimi i rrugëve, ndërtimet pa leje, zgjerimi i hapësirave publike, kanalizim por jo vetëm, janë prioritetet e tij për Prishtinë.

“Jemi në proces të përpilimit të programit, është shumë herët të flas, t’i tregoj prioritetet në bazë të hierarkisë, sepse në Prishtinë ka disa prioritete. Mirëpo, njëri prej tyre do të jetë zgjidhja e kaosit të trafikut. Në Prishtinë është e pamundur të lëvizet me makinë, me biçikletë, e çfarëdo forme tjetër qoftë ajo edhe me transport publik, andaj ky do të jetë prioriteti jonë sepse mobiliteti është i tmerrshëm. Këtu përfshihen edhe ndërtimet pa leje, ndërtimet e parkingjeve, intervenime në disa rrugë që të bëhen njëkahore, hapja e shtigjeve të reja që do të shkurtonte rrugë, ndërtimi i unazave kjo do të ndikojë shumë në rënien e ngarkesës në trafik. Poashtu, ujërat e zeza është një çështje shumë shqetësuese, siç u pa para pak ditësh nga një shi u vërshua gjithë qyteti, sistemi i mbledhjes se kolektorëve të ujit dhe ujërat e zeza është një problem që duhet zgjidhet”, shpalosi disa prioritet kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK.

Sipas tij, “ka edhe shumë e shumë çështje tjera në aspektin urban që i gjithë qyteti po zhvillohet ad hoc, nuk po prihet prej Komunës se si duhet të zhvillohet se si duhet te duket. Në qendër të Prishtinës kemi baraka, disa shtëpi të vogla që nuk duhet të ishin aty, ato do duhej të ishin në shfrytëzim, ajo hapësirë do duhej të ishte e gjithë qytetarëve. Sheshi do të duhej të kompletohet dhe të rrënohet ndonjë ndërtesë më qëllim që të krijohet hapësirë e re, e njëjta vlen edhe për lagje të tjera që po ndërtohen, nuk kanë shëtitore e as parqe të mjaftueshme”.

“Duhet të krijohen ambiente më të ngrohta për qytetarin, ato bëhen në forma të ndryshme duke i integru edhe artistët, duke i fut punimet e tyre në hapësira publike që e begatojnë ambientin. Duhet të ndërtohen shkolla që të mos ketë dy ndrrime në shkollë, e që duhet të ishte një ndrrim. Për katër vite nuk është ndërtu asnjë shkollë apo cerdhe që është e rëndësishme”, u shpreh Çelaj.

Se a mendon që Shpend Ahmeti ia ka frikën kandidimit të tij për Prishtinë, Çelaj tha se duhet të ketë frikë, por nuk e di nëse ka.

“Shpendi do duhej ta kishte frikën, por nuk e di a e ka apo jo”, tha në fund të bisedës Çelaj.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat